Kërcënuan Messin, Argjentina anulon miqësoren me Izraelin

Argjentina nuk do të luajë kundër Izraelit.

Sport

06/06/2018 09:10

Federata Argjentinase e Futbollit ka vendosur ta anulojë miqësoren me Izraelin, që ishte programuar për t’u zhvilluar të shtunën në Jeruzalem.

Ky vendim lidhet me kërcënimet që kanë marrë Messi me shokë në orët e fundit nga palestinezët, të cilët inskenuan madje një protestë gjatë stërvitjes së Argjentinës në Barcelonë, duke djegur dhe përdhosur fanellën me numër 10.

“Kjo ndeshje është një lajthitje. Është njësoj sikur ne të festonim përvjetorin e pushtimit të Ishujve Malvinas (Falkland). Do të ishte një mungesë respekti për popullin argjentinas,” – kishte deklaruar më parë Husni Abdel Wahed, amabasdor i Palestinës në Argjentinë. Dhuna dhe viktimat e javëve të fundit pas përleshjeve mes palestinezëve dhe forcave izraelite në Gaza e kanë tensionuar së tepërmi situatën. Kjo ndeshje ishte vendosur të luhej në lagjen e Jerusalemit, Malha, e cila ndodhet pikërisht në një zonë të një ish-fshati palestinez të shkatërruar gjatë luftës, pas të cilës u themelua Izraeli 70 vite më parë, transmeton “SS”.

Tashmë trajneri Sampaoli duhet të vendosë nëse do t’i vijojë përgatitjet në Barcelonë, apo do të improvizojë një miqësore tjetër para nisjes për në Rusi.