Kërcënon Iljia Nestorovski: Pyeteni Etrit Berishën për mua

Sulmuesi i Maqedonisë, Iljia Nestorovski, i ka hedhur dorashkën e sfidës portierit të përfaqësues shqiptare, Etrit Berisha, duke kujtuar sot në konferencën për shtyp se gardiani i kuqezinjve nuk ishte i pakalueshëm.

Sport

04/09/2017 18:04

“Pyeteni Berishën, më duket se me njeh shumë mirë. Disa muaj më parë i kam shënuar një gol në ndeshjen mes Palermos dhe Atalantës”, tha Nestorovski i cili luan me skuadrën e Palermos. Sulmuesi i referohej ndeshjes së javës së 6 të sezonit të kaluar në kampionatin italian të futbollit, kur Palermo fitoi në transfertë me shifrat 1-0 falë golit të tij. Në atë ndeshje, e cila ishte e dyta për Berishën me fanellën e Atalantës, ai realizoi në minutën e 89-të me një prekje të zgjuar pas një goditje këndi duke dërguar topin në rrjetë.

“Pas fitores ndaj Izraelit, atmosfera në ekip është në nivelet më të larta dhe shpresoj që të përsëritim një paraqitje edhe më të mirë në duelin e nesërm. Bashkë me kapitenin Pandev, jemi të lumtur që mesfushorët po punojnë në nivelin e kërkuar dhe shpresoj që nesër të kemi pasime në dispozicion nga ata, në mënyrë që të rrezikojmë portën kundërshtare”, shtoi Nestorovski në sallën e konferencave.