‘Kërcënon’ Ferronikeli: Do të luftojmë deri në fund për titullin

Drejtori sportiv i skuadrës së Ferronikelit, Artan Berisha ka kërcënuar kundërshtarët, duke thënë se skuadra e tij do të luftojë deri në fund të sezonit për të fituar titullin e Superligës së Kosovës.

Sport

28/10/2014 20:18

Skuadra e Ferronikelit është duke kaluar në një formë të shkëlqyer. Pas fitores së fundit të shënuar kundër Hajvalisë, Feronikeli është lider në Superligën e Kosovës me 22 pikë të tubuara nga 12 ndeshje.

Lideri i Superligës së Kosovës ka shfrytëzuar shumë mirë barazimin e Trepça 89, e cila barazoi në shtëpi kundër skuadrës së Besës me rezultat 1-1.

Të mos harrojmë se Ferronikeli ka arritur që të jetë lider i Superligës së Kosovës, për herë të parë në histori të skuadrës dhe kjo tregon ecurinë e mirë. Nga 12 ndeshje, ata kanë arritur të shënojnë gjashtë fitore, katër barazime duke pësuar vetëm 2 humbje.

Në një intervistë ekskluzive për Lajmi.net, drejtori sportive i Ferronikelit thotë se skuadra e tij mund ta fitojë titullin e Superligës së Kosovës, pasi do të luftojë deri në fund për të arritur një gjë të tillë.

“I kemi kaluar të gjitha parashikimet tona. Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, dhe me disa përforcime, atëherë ne do të luftojmë deri në fund për titullin”.

“Ky sukses vjen falë organizimit të mirë të kryesisë, punës profesionale të shtabit teknik në krye me Gani Sejdiun dhe angazhimit maksimal nga ana e lojtarëve të skuadrës”.

I pyetur nga gazetarët e Lajmi.net se cilën skuadër e konsideron si rival kryesor këtë sezon, Artan Berisha është përgjigjur shkurt: “Frikësohemi nga Trepça 89”.