Kërcënim nga veriu!

Përpjekjet e EULEX-it për të kapur të dyshuarit për krime në veri, që njihet si çerdhe e kriminalitetit, po shqetëson përfaqësuesit komunave serbe. E shohin EULEX-in si kërcënim, ndërsa kërcënojnë për largim të pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës.

Lajme

11/04/2014 09:20

Aksioni i së enjtes për arrestimin e Radovan Radic-it, të dyshuar për vrasjen e policit Enver Zyberi, ka shkaktuar indinjatë tek përfaqësuesit e katër komunave të veriut, me shumicë serbe.

Sipas tyre, EULEX-i ka përdorur dhunë gjatë aksionit të së enjtes, por sipas misionit evropian, kjo nuk është e vërtetë.

Për të penguar misionin, përfaqësuesit serbë, kanë paralajmëruar se nëse EULEX-i vazhdon të injorojë Policinë e Kosovës në veri, atëherë pjesëtarët serbë do të mund të largohen nga ky institucion.

“EULEX-i është duke vazhduar me injorimin e kërkesave të përfaqësuesve legalë të popullatës serbe të veriut dhe respektit ndaj Policisë së Kosovës në veri, si strukturë e vetme përgjegjëse për siguri, rend dhe ligj në veri të Kosovës”.

Kështu u tha gjatë takimit të jashtëzakonshëm mes përfaqësuesve të katër komunave veriore, atyre të Policisë së Kosovës në veri dhe përfaqësuesve të EULEX-it në Zveçan, lidhur me aksionin e së enjtes të EULEX-it, për arrestimin e një personi në Zupç të Zubin Potokut.

“Me vazhdimin e një politike të tillë dhe mënyrën e veprimit të misionit të EULEX-it, kërcënohet seriozisht siguria e përgjithshme në veri, duke marrë parasysh se popullata serbe po trajtohet në mënyrë të pabarabartë”.

“Askund në botë policia nuk është e margjinalizuar sikurse në veri të Kosovës, ndërsa, popullata e tërë të trajtohet si e dyshuar për krime të ndryshme, të jetë e kriminalizuar në vazhdimësi, dhe të akuzohet për mos zbatim të rendit dhe ligjit. Një praktikë e tillë, e cila injoron në plotëni Policinë e Kosovës, mund të sjellë deri te braktisja e këtij institucioni nga pjesëtarët e saj në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të Kryetarit të Zubin Potokut, Stevan Vulovic, i cili një ditë më parë tha se në aksionin e së enjtes në fshatin Zupq, pjesëtar të policisë së këtij misioni kanë përdorur dhunë.

Në një komunikatë për media, EULEX ka thënë se e kanë xhiruar aksionin për arrestimin e Radovan Radic-it, të dyshuar për vrasjen e policit, Enver Zyberi, dhe se kanë prova për t’i dematuar deklaratat e Vulovic-it.