Keqpërdoruesit e energjisë ndikojnë në faturat e konsumatorëve të përgjegjshëm

Kyçja ilegale në rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë vazhdon të jetë problem i cili po e përcjell sektorin energjetik për shumë vite.

Lajme

23/07/2018 14:41

Afër një e treta e energjisë që dërgohet për shpenzim mbetet e pa faturuar për shkak të keqpërdorimeve, kurse barrën financiare për këtë e bartin edhe konsumatorët e rregullt në vend.

Zyra e Rregullatorit të Energjise, ZRrE, që është autoriteti për caktimin e tarifave të energjisë në baza vjetore, sqaron se tarifat caktohen duke marrë për bazë aspektin social, mjedisor, shëndetin, si dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.

Por, përveç kësaj, ZRrE merr parasysh edhe shpenzimet dhe investimet që bëhen nga akterët e përfshirë në sektorin energjetik, siç janë kompanitë e licensuara KEDS, KESCO, KEK, KOSTT, si dhe vetë bilancin e ZRrE-së, të cilat analizohen në mënyrë periodike.

ZRrE shqyrton tarifat çdo vit, në mënyrë që të caktohet shuma e parave (Të Hyrat e Lejuara Maksimale– MAR) të cilën kompanitë e rregulluara lejohen ta mbledhin për ofrimin e shërbimit.

“MAR përcaktohet… duke analizuar hollësisht shpenzimet dhe investimet të cilat kompanitë planifikojnë t’i realizojnë përgjatë periudhës rregullative”, kishte sqaruar ZRrE kohë më parë.

“Niveli i MAR caktohet në atë masë që kompanive t’ju lejohen t’i mbulojnë kostot e arsyeshme”, kishte thënë Adelina Murtezaj–Bajrami, zyrtare e Zyrës së Rregullatorit. http://keds-energy.com/indexDetails.asp?ID=179

Vlerësohet se qytetarët që kyçen ilegalisht në rrjetin energjetik përfitojnë nga sundimi i dobët i ligjit, sepse edhe në rastet kur indentifikohen kyçjet ilegale, ato nuk mund të ndërpriten deri në përfundimin e procesve gjyqësore.

Ka raste kur proceset gjyqësore zgjasin vite të tëra derisa të merret një vendim.