Këput kabllon për skrap, vdes nga goditja e rrymës elektrike?

Policia e Kosovës pranë Stacionit policor në Gjakovë të dielën ka marrë një informatë nga emergjenca e spitalit rajonal “Isa Grezda” se në ketë vend ishte sjellë një trup i pajetë për të cilin dyshohet se ishte goditur nga rryma elektrike.

Lajme

13/10/2014 20:30

Patrullat policore menjëherë kanë shkuar në emergjencë dhe nga mjeku kujdestar kanë kuptuar se viktimën e kishte sjellë një dëshmitar, por pa shenja jete. Viktima dyshohet se ishte goditur nga rryma elektrike (tensioni i lartë).

“I dyshuari B.F.(1993), gjatë hetimit policor deklaroi se së bashku me disa të tjerë (nuk dihen ende saktë emrat) dhe me viktimën (shtetasin egjiptas të Kosovës E. I. (1997)), kishin shkuar afër Fabrikës së tjegullave dhe viktima kishte dashur që me darë t’i këpusë kabllon e tensionit të lartë për qëllim të përfitimit pasuror, me ç’rast e kishte goditur rryma”, njofton PK.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e hetimeve dhe krim-teknikës së stacionit policor në Gjakovë, njësia e hetimeve rajonale Pejë, prokurori kujdestar dhe një ekip e KEDS-it.

I dyshuari me urdhër të prokurorit është në ndalim policor, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.