Këpuca e gjetur nuk është e vrasësit

Policia është duke zhvilluar hetime intensive për të zbuluar vrasjen e Elvis Pistës nga Rahoveci.

Lajme

17/06/2014 09:52

Këpuca e gjetur në arën nga ku mendohet se ka gjuajtur vrasësi i Pistës, rezulton të mos jetë provë e fortë.

Sipas burimeve të policisë, ajo nuk është e dorasit që ka vrarë kandidatin për deputet të Kuvendit të Kosovës.  

Pista u vra natën mes së shtunës dhe së dielës nga persona deri më tani të panjohur. Policia ende nuk i di as motivet e vrasjes e as nuk ka ndonjë të dyshuar.

Ndonëse nuk japin shumë detaje në lidhje me hetimet, policia konfirmon se ato janë duke u zhvilluar intensivisht.

“Janë duke u zhvilluar hetimet për rastin ‘Pista’, por nuk ka diçka konkrete që mund të bëjmë publike”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Brahim Sadriu, për gazetën Tribunën.

Sipas tij policia ka intervistuar dëshmitarët që kanë qenë në vendin e ngjarjes, por deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar.