Kenia, pushkatohen 36 punëtorë të krishterë

Al Shabab të martën ka pushkatuar 36 punëtorë të një gurthyesi në afërsi të qytetit Mandera të Kenias. Sulmuesit i ndanë punëtorët myslimanë nga të krishterët, dhe i pushkatuan këta të fundit.   

Bota

02/12/2014 10:19

Sulmi ndaj punëtorëve të gurëthyesit u krye në orët e hershme të mëngjesit, derisa punëtorët e gurthyesit po flinin nëpër tendat e tyre, ka njoftuar policia.   

Një dëshmitar i ka thënë BBC-së se shumica e të vrarëve janë nxjerr në rresht dhe janë gjuajtur me plumb në kokë nga një distancë e afërt.  

Sipas këtij dëshmitari, disa prej viktimave janë qëlluar në gjumë, pasi sulmuesit janë vërtetuar se i përkasin besimit të krishterë.

Ndërsa Agjencia e lajmeve Reuters citoi njërin prej dëshmitarëve se katër prej viktimave u është prerë koka.

Organizata e militantëve islamikë, Al Shabab ka shpeshtuar sulmet terroriste që prej vitit 2011, kur Kenia vendosi të dërgojë trupa të saj në vendet fqinje për të luftuar terrorizmin.

Prej vitit të kaluar janë kryer disa sulme të armatosura në këtë shtet, por gjakderdhja më e madhe u krye në një qendër tregtare në kryeqytetin Nairobi, ku u vranë 67 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë  mbetën të plagosur. 

Dhjetë ditë më parë, militantët islamikë të organizatës Al Shabab nxorën nga autobusi pasagjerët e një linje lokale në Somalia dhe pushkatuan 28 udhëtarë, të cilët i përkisnin besimit të krishterë.

Vendi i pushkatimit ishte në afërsi të kufirit me Kenian, jo larg nga sulmi terrorist që u krye sot ndaj punëtorëve të gurthyesit.