Keni planifikuar të shkoni në plazh në fundjavë? Kujdes ditën e diel

Temperaturat e larta janë rikthyer edhe pse këto janë normale për muajin gusht. Por duket se shirat e rënë fundjavën e kaluar do të rikthehen sërish këtë fundjavë.

Lajme

19/08/2017 08:35

Sipas Meteoalb, shiu do të kthehet sërish të dielën, ndërsa reshjet më të shumta do të jenë në zonat malore, por që do të sjellin ulje temperaturash edhe në bregdet.

Ja parashikimi i motit nga Meteoalb:

Fundjava mbetet me mot kryesisht të kthjellët deri mbrëmjen e së dielës kur pritet ndryshim i situatës sinoptike. Orët e vona të së dielës sjellin një sistem vranësirash, shoqëruar me stuhi ere dhe rrebeshe afatshkurtra shiu në zonat veriore dhe ultësirën perëndimore ndërsa më pak e rrezikuar paraqitet juglindja e vendit. Në të njëjtat kushte atmosferike territori mbetet natën e së dielën dhe orët e para të së hënës.

Tabloja termike: temperaturat mbeten të larta të shtunën por një rënie të lehtë sjell e diela ku maksimumi do shënojë rreth vlerës 37°C ndërkohë që e hëna sjell rënie të theksuar në të dy vlerat ekstremale ditore ku mëngjesi bie minimalisht në 13°C në zonat verilindore ndërsa mesdita, jo mbi 32°C në zonat jugore.

Të martën ruhet thuajse konstante fusha termike ndërsa gjatë periudhës e mërkurë – e premte, do të ketë rritje të lehta dhe graduale deri në 36°C (të premten).