Këngëtarët shqiptarë që nëpërmjet zërit të këngës synojnë ta ndryshojnë realitetin e hidhur në shoqëri – Lajmi.net
Këngëtarët shqiptarë që nëpërmjet zërit të këngës synojnë ta ndryshojnë realitetin e hidhur në shoqëri
Autori: Lajmi.net EntertainmentShowBiz 14:48, 2 October 2018
Artistët tanë çdo ditë sjellin krijime të reja me të cilat trajtojnë tema nga më të ndryshmet.

Shumica e projekteve muzikore që publikohen së fundi për temë kanë dashurinë, shkruan lajmi.net.

Por, nuk përjashtohen edhe ato projekte me të cilat artistët tanë trajtojnë tema, të cilat preokupojnë shoqërinë.

Përmes zërit të këngës, këngëtarët tanë tentojnë të bëjnë ndryshim për gjendjen aktuale në vend.

Lajmi.net. ka përmbledhur një listë me disa prej artistëve, të cilët kanë relizuar këngë me të cilat temë kanë problemet në vend.

Gold AG

Një artist që përdor laramani temash në këngët e tij është reperi Gold AG. Dy vite më parë, reperi bashkëpunoi me reperin Duda dhe B Genius për këngën “Çka po ndodh”, e cila ishte si gjëmë për gjendjen në vend. Një problem kryesor që përmendet në këtë këngë është varfëria. Gold AG ka realizuar edhe disa këngë të cilat ia ka dedikuar dëshmorëve të kombit. I këndoi dashurisë për nënën, dashurisë motër e vëlla si dhe kurbetit.

“Lotët e djalit”është një tjetër këngë e këtij reperi, e cila flet për “bixhozin” si dukuri negative në shoqëri. “Ndihmoje jetimin”, është tjetër këngë e tij, me të cilën bën thirrje që të ndihmohen jetimët. E përveç tyre, ai ka realizuar edhe shumë këngë, përfshirë “Shqiptar 1” dhe “Shqiptar 2”, për të cilat Gold AG ishte paditur edhe në gjykatë, me akuzën për nxitje të gjuhës së urrejtjes.

Ledri Vula

Reperi Ledri Vula numëron disa hite në repertorin e tij, të cilat priten mirë nga publiku. Një projekt më ndryshe i Ledrit është “I vogël”, këngë kjo që u publikua me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kënga flet për atë se si ka qenë vendi vite më parë dhe kushtet e popullsisë derisa ishim pa shtet dhe bën krahasim me gjendjen aktuale në vend. Secili varg i këngës është prekës dhe i krijon çdonjërit një pasqyrë të asaj se si kemi qenë deri pak kohë më parë, pra në çfarë rrethanash ka kaluar shteti ynë deri sot.

Flori Mumajesi

Kantautori Flori Mumajesi, është ndër artistët më të suksesshëm në estradën tonë. Në këngët e tij, ai në shumicën e rasteve për temë ka dashurinë, por një projekt shumë i veçantë i tij është “Beautiful”, këngë kjo në bashkëpunim me Ledri Vulën, që ka mesazh se të prekurit nga sëmundjet e rënda duhet të mos dorëzohen i dhe të shijojnë jetën në maksimum.

Remzie Osmani

Tash e sa vite, këngëtarja Remzie Osmani është aktive me këngë të reja, të cilat priten mirë nga publiku. Edhe Remzia tash e sa vite trajton tema të ndryshme në këngët e saj, një prej tyre është “Andërr Shqiptare”, që flet për ëndrrën e kahmotshme të bashkmit të trojeve shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=dETWbK-tWlw

Shyhrete Behluli

Një artiste që njihet për numër të madh këngësh në karrierën e saj është edhe Shyhrete Behluli. Në shumë projekte, këngëtarja i këndoi atdheut dhe problemeve me të cilat përballet populli. “Knoma kangën” është kënga në duet me Sinan Hoxhën, e cila flet për dhimbjen që ata të cilët ranë për liri, nuk i gëzuan këto ditë. “Treni i fundit” është një projekt i kësaj këngëtareje, i cili flet për kohën e largimeve të shqiptarëve nga Kosova për shkak të luftës, periudhë kjo kur po zbrazej vendi për shkak të okupimit serb.

Mozzik

Reperi Mozzik është goxha aktiv me projekte të reja muzikore, me të cilat zakonisht prek temën e dashurisë. Por, në një këngë, të cilën e lansoi dy vite më parë, ai i këndonte një sëmundje që tashmë është shndërruar në problem në vend, e që është kanceri. Sëmundja e kancerit është përhapur shumë vitet e fundit në Kosovë.

Meda

Meda ka një numër projektesh muzikore, në të cilat tematika kryesore është dashuria. Por, në një projekt që realizoi gjatë këtij viti bashkë me Mc Bekën, ai flet për atë se si duhet të jetë “1 për krejt”, duke nënkuptuar raportet mes shqiptarëve. Kurse, në një tjetër projekt, ashtu sikurse Gold AG i këndon problemit të “Bixhozit”.

Bim Bimma

Reperi Bim Bimma tash e një kohë është aktiv me projekte të reja në skenën muzikore shqiptare. Edhe ky artist në këngët e tij nuk ka lënë anash temat që preokupojnë shoqërinë. Një prej tyre është edhe projekti “MVK” apo “Mirë se vini në Kosovë”, në bashkëpunim me Taste 2. Përmes vargjeve të këtij projekti reperi i vë theks të veçantë problemit të hajnisë në vend. “Zani i Skamjes” është një tjetër këngë e këtij reperi, e cila që në titull tregon se ka të bëjë me varfërinë dhe problemet që sjell ajo.

Leonora Jakupi

Një këngë që konsiderohet edhe si himn për temën e luftës është “A vritet pafajsia”, e këngëtares Leonora Jakupi. Tema e kësaj kënge janë vrasjet që janë bërë gjatë kohës së luftës në rajonin e Drenicës.

Motrat Mustafa

Motrat Mustafa në një prej këngëve të tyre kanë trajtuar një temë më ndryshe prej të tjerave. Kjo këngë flet për ndarjen e një çifti për shkak se nuk kishin fëmijë. Gruaja ishte ndarë nga bashkëshorti pasi familja e burrit e kishin fajësuar përse nuk kishte arritur të bënte fëmijë.

Shkurte Fejza

Këngëtarja Shkurte Fejza tash e sa vite është burim i pashtershëm i këngëve. Projektet e saj muzikore prekin tema nga më të ndryshmet, e shumë prej tyre i përshtaten aktualitetit. Tash e sa kohë serbët pretendojnë ta marrin veriun, përmes një kënge Shkurte Fejza thotë se “Jo nuk ndahet Mitrovica”. Ky është vetëm një nga projektet e Shkurte Fejzës që flet për atdheun dhe problemet e këtij populli, pothuajse të gjitha këngët e saj trajtojnë tema të ngjashme.

Andaj, nga gjithë këto projekte muzikore, shihet se këngëtarët tanë kanë zgjedhur që përmes fuqisë së zërit, të tentojnë të bëjnë ndryshime në vend. Temat që preokupojnë qytetarin shpalosen në mënyra të ndryshme përmes vargjeve të këngës, e shumë prej tyre në pamundësi të ndërrimit të situatës, janë vetëm si një thirrje për zhdukjen e problemeve aktuale dhe pasqyrojnë realitetin në të cilin jetojmë. /Lajmi.net/

D.A

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO