Këndellja e madhe

Shteti i Kosovës, mbase, si asnjëherë më parë, ka nevojë për një mëkëmbje politike, diplomatike, ekonomike.

Opinion

14/12/2017 09:12

 Kanë marrë hov vlerësimet që Kosova është një shtet i dështuar.
Ky ‘gjykim suprem’, tash e sa kohë është mbizotërues në politikën dhe diplomacinë e Serbisë dhe të Rusisë. Por, ky mendim i thënë nga një diplomat austriak, çfarë është Wolfgang Petritsch, është befasues.
Petritch është një emër shumë mirë i njohur për shqiptarët e Kosovës, sepse ai ishte Përfaqësues Special i BE-së në vitet e luftës, në kërkim, së bashku me Ambasadorin amerikan Christopher Hill, të paqes në Kosovë. Në këtë mandat ai ishte i pranishëm edhe në Konferencën Paqësore të Rambouilletit.
Në një intervistë të cilën ky diplomat e dha këto ditë për Deutsche Welle, u shpreh në mënyrën më të keqe të mundshme për Kosovën. Sipas tij, ‘Kosova është një shtet i dobët, i ndarë politikisht në mënyrë të thellë, do të mund të thuhej madje, që Kosova është buzë kolapsit, pikërisht nëse krahasohet me Serbinë, e cila ekonmikisht, edhe thënë në përgjithësi, është zhvilluar fuqimisht.’
Tutje në këtë intervistë, Petritsch del me qëndrime të qarta, megjithëse nuk i thekson në mënyrë brutale dhe eksplicite  (si kur provon ta përshkruajë gjendjen në Kosovë, sipas bindjeve të tij), se çka do të duhej bërë në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kosova, si e tillë, është e humbur për Serbinë  (këtë sipas këtij diplomati austriak, e ka pranuar edhe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq), por ja që mund të bëhet një korrigjim i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që nënkupton që Petritsch avokon ndrajen e Kosovës. Ndërsa në gjithë këtë ndërmarrje politike të përmasave rajonale, ai sheh një rol të veçantë që mund të ushtrohet prej Tiranës dhe Beogradit zyrtar.
Dialogu pra Shqipëri – Serbi, ndarja e Kosovës, Kosova si shtet i dështuar, kur të bëhen së bashku, nuk lënë shumë dyshime se çka duhet bërë me shtetin e Kosovës, fati i të cilit kështu del që nuk do të duhej të ishte fare në duartë e politikanëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Në këtë aspekt pra, qëllimisht apo rastësisht, (kjo mbase nuk ka fare rëndësi këtu), Petritch rreshtohet me një qëndrim të njohur politik të Beogradit dhe Moskës, sipas të të cilit Kosova është shtet artificial, i bërë apo i krijuar gabimisht prej Perëndimit, në radhë të parë prej SHBA-së dhe Paktit NATO. Pra, ky shtet nuk ka si të mos dështojë, sepse nuk është vlerë autentike politike, apo, Kosova, si shtet, ka mbërri në fund të afatit të skadencës, prandaj, një pjesë do të duhej t’i bashkohej Serbisë  (Veriu), ndërsa pjesa e mbetur, shumë më e madhe, natyrisht, do të duhej të unifikohej me Shqipërinë.
Natyrisht, pikënisje për të bërë një rrugëtim të këtillë politik dhe diplomatik me synim të zhdukjes apo (vetë)shpërbërjes së shtetit të Kosovës, është konstatimi të cilin fatkeqësishet e bën edhe Petritsch, për Kosovën si shtet të dështuar.
Nuk ka dyshim që shteti i Kosovës është përballur dhe ballafaqohet sot e kësaj dite me probleme të shumta politike, ekonomike, sociale. Qëndrueshmëria afatgjatë e shtetit të Kosovës ka qenë dhe është e kërcënuar, mbi të gjitha, me praninë e shtetit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku ajo nuk është dashtë të jetë fare, poqëse do të respektohej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pastaj, kjo qëndrueshmëri, është dëmtuar, ndërkombëtarisht, me pamundësinë që shteti i Kosovës të bëhet shtet anëtar i OKB-së, dhe që udhëtimi i Kosovës kah BE-ja të jetë më i lehtë, sikur të ishim njohur edhe nga pesë shtetet e mbetura të BE-së. Gjithsesi, edhe ne vet, mbi të gjitha politika kosovare e viteve të fundit, me të gjitha ato skenat e rrëmujës së madhe në seancat e parlamentit dhe në sheshet e Prishtinës, ka hise në këtë përshtypjen e përgjithshme që konteston themelet e Kosovës, pak kohë para se të shënohet dhjetëvjetori i parë i ekzistencës së shtetit të Kosovës.
Shteti i Kosovës, mbase, si asnjëherë më parë, ka nevojë për një këndellje të madhe politike, diplomatike, ekonomike. Nuk është rendi që ky shtet do të zhbëhet, për shkak të dëshirës së Beogradit, të Moskës, apo edhe në vijim të një deklarate krejtësisht të gabuar dhe të mbrapsht të një diplomati perëndimor. Megjithatë, neve na duhet një mëkëmbje, e cila do të dëshmojë që ky shtet do të ekzistojë përjetë dhe mot, që mund të jetë një shtet stabil, i qëndrueshëm, dhe që do të bëhet shtet anëtar i OKB-së, i Paktit NATo dhe i BE-së.