Këndellen serbët, për ‘interesin’ e Serbisë anulojnë bojkotimin e zgjedhjeve

Serbët e veriut të Kosovës do t’i përgjigjen thirrjes së qeverisë serbe që të dalin në zgjedhjet parlamentare më 8 qershor në Kosovë, “për të kontribuuar në betejën për realizimin e interesave nacionale dhe shtetërore të Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media, të lëshuar pas takimit ndërmjet zyrtarëve serbë dhe kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës.

Lajme

05/06/2014 13:00

Agjencitë serbe të informimit njoftojnë se takimi është zhvilluar mbrëmë ndërmjet kryetarit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, atij të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, të Zveçanit, Vuçina Jankoviq dhe kryetarit të Zubin Potokut, Stevan Vulloviq.

 \”Pjesëmarrja në këto zgjedhje është një formë e betejës politike, e përshtatur me rrethanat, kurse mbështetja për përfaqësuesit serb dhe për Serbinë, është detyrim patriotik i secilit qytetar të Serbisë në rajonin e krahinës”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit, raporton Radio Evropa e Lirë.

 Përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë ishin kërcënuar me bojkotim të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të cilat mbahen të dielën më 8 qershor, duke kundërshtuar simbolet e shtetësisë së Kosovës në fletëvotime dhe material zgjedhor.

\”Duke punuar në institucionet e përkohshme qeverisëse dhe me vazhdimin e bisedimeve do t’i largojmë çdo ditë e më shumë separatistët në Prishtinë që të realizojnë synimet e tyre, kurse pozicionin tonë të negociimit do ta fuqizojmë gjithnjë e më shumë”, citohen të kenë thënë pjesëmarrësit në takim.