Kelmendi-Veselit: Si nuk të vjen turp ta krahasosh Kosovën me Izraelin

Kryetari i partisë Fjala, njëherësh  deputeti i pavarur i Kuvendit, Gëzim Kelmendi, e ka kundërshtuar ashpër kandidatin e vteëm për kryetar të PDK-së, Kadri Veseli ku ky i fundit e krahasoi Kosovën me Izraelin.

Lajme

06/05/2016 21:49

Veseli në një intervistë ka thënë se Kosova është sikurse Izraeli dhe se shteti i Kosovës duhet larguar nga Turqia.

Kjo deklaratë, sipas Kelmendit është fyese dhe ofenduese.

“Kryetar i Kuvendit të Kosovës, si nuk të vjen turp, si nuk ke marre ta barazosh Kosovën me shtetin e Izraelit. Populli i Kosovës kurrë nuk ka vra qytetarë të pafajshëm, ashtu siç po bën regjimi i Izraelit me popullin e Palestinës.
Dhe sa i përket politikës jo të drejtë të Izraelit ndaj Palestinës, shumica e vendeve të BE janë distancuar nga kjo politikë e Izraelit dhe po këto vende të BE kanë njohur shtetin e Palestinës”, shkruan Kelmendi, raporton lajmi.net.

Madje Kelmendi e akuzon Veselin se sa i përket Turqisë, ai ka kaluar çdo kod dhe normë diplomatike duke fyer rëndë raportet e shkëlqyera me Turqinë, kur nënkryetari i PDK-së kishte thënë se duhet ” larguar nga Turqia”.\

“Mos harro se Republika e Turqisë është prej vendeve të para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe është prej vendeve që vazhdon të lobon fuqishëm për Pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Izraeli ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Ju si Kryetar Kuvendi po e izoloni Kosovën, po dëshironi ti largoni miqtë më besnik që ka Kosova. Kosova ka nevojë edhe për SHBA, Be, Turqinë dhe të tjerët”, ka shkruar Kelmendi ndër tjerash.

Kryetari i partisë Fjala, kohë më parë ka qenë pjesë e PDK-së në kuadër të koalicionit që subjekti i dikurshëm i Kelmendit, pra Partia e Drejtësisë, e bëri me PDK-në. Kelmendi u shkëput nga këto subjekte për shkak të mospajtimeve rreth qasjes që ata kishin për çështje të ndryshme./lajmi.net