KEK-u para kolapsit financiar

Korporata Energjetike e Kosovës e cila ka afër 5 mijë të punësuar po rrezikon që për herë të parë pas një dekade operimi me sukses të dal jashtë funksionit.

Lajme

01/12/2017 13:18

KEK po ballafaqohet me mungesë të prodhimit të qymyrit, me shpronësime të paligjshme në tokat me qymyr dhe presion sindikal për rritje pagash dhe punësim të detyruar të afër 200 punëtorëve të ri nga fshatrat Hade e Shpitullë.

Të gjitha këto si pasojë e vendimeve politike që kanë gjenezën e zvarritjes së proceseve nga qeverisja e kaluar dhe më pas kalkulimet politike për vota në zgjedhjet e fundit nacionale dhe ato lokale.

Qeveria e Kosovës tash e 14 muaj nuk ka arritur ta finalizoj procesin e shpronësimeve në Hade e Shipitull. Si pasojë e kësaj ekskavatorët e KEK-u nuk punojnë në hapjen e minierave të reja dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur të sigurojnë rezerva të qymyrit për prodhim të energjisë elektrike.

KEK paralajmëron krizë financiare

Situatë të rëndë financiare paralajmërojnë vetë zyrtarët e kësaj korporate të cilët thonë se po luftojnë që së paku gjatë dimrit termocentralet të furnizohen me qymyr.

“Në këtë rast, duke qenë të varur në tërësi nga prodhimi energjisë elektrike, çdo mungesë e këtij prodhimi paraqet humbje direkte në të hyrat e planifikuara për mbulim të shpenzimeve e cila nuk kompensohet nga askush”, ka thënë Skender Bucolli nga zyra për informim në KEK.

Sipas Bucollit, ndalesa mbi 14 mujore e punës së ekskavatorëve në zbulimin e qymyrit (heqjen e djerrinës), për shkak të bllokimit 3 vjeçar të zhvendosjes nga faktorët jashtë kontrollit te KEK-ut, ka shkaktuar dëme në performanc duke marr parasysh natyrën e punës dhe aspektet sezonale.

“Krejt kjo për shkak se dinamika e punës në djerrinë duhet zhvilluar kryesisht para fillimit te vjeshtës. Në këtë moment jemi duke bere përpjekje  maksimale për të siguruar qymyr për termocentralet gjatë dimrit”, ka paralajmëruar Bucolli, derisa ka thënë së vendimi i Qeverise së Kosovës për zhvendosjen e kësaj zone, nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës është duke u  implementuar në tërësi.

Sipas vendimit të Qeverisë, KEK ka përgatitur Planin e rishikuar të Veprimit të Zhvendosjes i cili është aprovuar nga MMPH si organ kompetent sipas procedurës në fuqi.

Megjithatë, në këtë moment, Bucolli thotë se presin bashkëpunimin e banorëve në pranimin e ofertave dhe përmbylljen e procesit.

KEK duhet ti jap 13 milionë euro më shumë për shpronësime

Për këtë gjendje ka muaj që e ka ngritur alarmin Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj duke paralajmëruar kolapsin energjetik. Pra, për herë të parë nga paslufta, KEK-u tani po rrezikohet të mbetet jashtë funksionit me të gjitha blloqet e termocentraleve në mungesë të rezervave të qymyrit.

Kësaj situate i kanë ndihmuar ndërtimet e paligjshme në tokat me qymyr. Që nga viti 2004 nën dijeninë e plotë të institucioneve me dhjetëra prona janë ndërtuar paligjshëm në zonat me qymyr në komunën e Obiliqit.

Nga zyrtarët e KEK-ut vlerësohet se nga 4 milionë euro sa ka qenë vlera e shpronësimeve, tash me ndërtimet e paligjshme, kjo ka shkuar në 17 milionë euro.

Të gjitha mjetet për shpronësime duhet t’i paguajë KEK-u.

Ndërtimet e paligjshme dhe mbi zona me qymyr, janë kryer kryesisht në lagjen Krasniqi në fshatin Shipitullë dhe në lagjen Mirena në fshatin Hade të Komunës së Obiliqit.

Qeverisja e kaluar e Isa Mustafës, pak muaj para se të shkarkohej kishte marrë një vendim që bazuar në Ligjin e shpronësimeve t’i kompensohen pasurit banorëve të këtyre dy fshatrave dhe pjesa e atyre që dyshohet se ndërtuan shtëpi për të përfituar nga shpronësimet të ballafaqohen me prokurorinë e shtetit.

Megjithatë këtë vendim të ish-kryeministrit Mustafa nuk e përfilli kryeministri Haradinaj. Në ditët e para të marrjes së pushtetit, Haradinaj shkoj në një takim me banorët e Hadës dhe Shipitullës duke e kthyer procesin edhe një herë në pikën zero dhe duke kërkuar nga KEK-u dhe mekanizmat tjerë në proces që të rifillohet me negociata me banorët e këtyre dy zonave.

Mbi të gjitha, Haradinaj i dha të drejtë edhe atyre të cilët tashme janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimet se nuk janë banorë të këtyre fshatrave dhe kanë ndërtuar shtëpi deri në 700m2 për të përfituar nga shpronësimet. /Gazeta Fjala