KEK-u akuzon OSHP-në për vendime kundërthënëse në tenderin 6-milionësh

Furnizimi me mazut për Korporatën Energjetike të Kosovës është bërë mision i komplikuar.

Lajme

20/04/2015 08:05

Një vendim i Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili i kthen në garë tri kompani për tenderin 6-milionësh, e ka sjellë KEK-un para dilemave për rrugën që duhet ndjekur për këtë tender.

Gjykata e Tenderëve e ka anuluar vendimin e KEK-ut për anulimin e gjithë procesit të prokurimit, duke kërkuar që ai të kthehet në rivlerësim. KEK-u e kishte anuluar tenderin, pasi dy nga tri kompanitë që kanë qenë në garë i kishte shpallur të papërgjegjshme.

Por, OSHP-ja e ka kthyer në garë kompaninë “Petroll Company”, e cila ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë në muajin shkurt, por më vonë eksperti shqyrtues dhe KEK-u e kishin shpallur të papërgjegjshme, për shkak të gabimit në vendosjen e çmimit.

Edhe kompanisë “Ex-Fis” ia ka miratuar ankesën, e cila ka kërkuar që oferta e “Petroll Company” të shpallet e papërgjegjshme për shkak se nuk ka deklaruar doganën 10 për qind që do të duhet të paguhet për mallrat me origjinë nga Bullgaria, që nuk është pjesë e CEFTA-s.

Por, OSHP-ja e ka kthyer në garë edhe kompaninë Hib Petroll, e cila ishte shpallur e papërgjegjshme në verësimin e parë, por që nuk kishte ushtruar ankesë në OSHP.

KEK ka thënë se nuk po e kupton vendimin e OSHP-së, pasi i kthen në garë të gjitha kompanitë dhe iu jep të drejtë të gjithave. Edmond Nulleshi, shef i shërbimeve në KEK ka thënë se më 22 janar është shpallur fituese Petroll Compani, e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.  Kundër këtij vendimi ka pasur ankesë nga kompania Ex Fis. Ai tregon se OSHP-ja e kishte kthyer tenderin në rivlerësim, pasi kishte konstatuar se nuk ka numër të mjaftueshëm të ofertave të përgjigjshme, andaj KEK-u është dashur që ta anuloj aktivitetet e prokurimit.

Por, Nulleshi thotë se vendimi i fundit i OSHP-së është kontradiktor me atë që ishte marrë në muajin shkurt.

“Për çudi, më 3 prill 2015, OSHP-ja merr një vendim për të njëjtinn aktivitet, që në kundërshtim me atë që kishte konstatuar në shkurt të këtij viti, tani konstaton se oferta e shpallur fillimisht si fituese nga KEK-u paska qenë e përgjegjshme, dhe kërkon që tenderi prapë të rivlerësohet”, ka thënë ai, duke shtuar se janë në pritje të instruksioneve nga OSHP-ja se si duhet vepruar më tutje me këtë tender.