KEDS ripërtërinë rrjetin elektrik në periferi të Prishtinës

Lagjja Tutin në dalje të Prishtinës është bërë me rrejt të ri elektrik. 65 shtëpi të kësaj lagjeje tashmë kanë furnizim shumë më cilësor të energjisë elektrike si rezultat i investimit të KEDS

Lajme

19/10/2018 14:00

Rrjeti i vjetër i energjisë elektirke në këtë pjesë ka qenë shumë i vjetëruar dhe në gjendje të rëndë.

KEDS ka vendosur trafostacionin e ri me kapacitet 400 kVA, dhe poashtu ka ndërtuar rrjet të tensionit të lartë me gjatë prej rreth 1.5 kilometrave si dhe rrjet të tensionit të ulët në gjatësi prej afër 4 kilometrave. Kurse, shtyllat e drurit janë zëvendësuar me shtylla të ndërtuara nga betoni.

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, thotë se ky investim është i rëndësishëm edhe për kualitetin e energjisë elektrike por edhe për sigurinë e banorëve.

“KEDS po investon në tërë Kosovën për të ndërtuar rrjet të ri elektrik. Tashmë kemi shtylla të betonit të cilat po i zëvendësojnë ato të vjetrat gjithandej dhe kjo shton edhe sigurinë e banorëve”, ka thënë Buzhala.

“Përveç kësaj, natyrisht që edhe kualiteti i furnizimit me energji përmirësohet dukshëm”, shton ai.

Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it që parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin distributiv elektrik të Kosovës deri në vitin 2025.

Përmes këtij master plani KEDS mëton të rinovojë rrjetin elektrik dhe ta bëjë atë të ngjashëm me rrjetet elektrike të shteteve të zhvilluara evropiane.