KEDS reagon në kohë të shpejtë dhe stabilizon gjendjen në rrjetin distribuiv

Të reshurat, stuhia, erërat dhe presionet atmosferike që shkaktuan dëme te mëdha gjate ditës se djeshme dhe vazhdojnë edhe sot në disa zona, nuk kursyen as rrjetin distribuiv.

Lajme

25/12/2018 15:03

Ekipe të shtuara të KEDS, rreth 300 punëtorë me makineri shtesë kanë treguar rezultate të mrekullueshme kundrejt rregullimit të shumë prishjeve që u shkaktuan nga erërat e forta dhe të reshurat atmosferike.

KEDS përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se, në afat të shkurtë kohor, gjendja tanimë është përmirësuar pothuajse në gjithë vendin.

Sipas informatave të ekipeve në terren, falë përkushtimit dhe punës së pandërprerë deri në orët e vona të natës së kaluar dhe duke vazhduar edhe sot, në kushte jashtëzakonisht të rënda, ne një terren jo të përshtatshëm, KEDS ka arritur që të rregullojë pothuajse të gjitha prishjet.

Varësisht nga niveli dhe lloji i prishjes, disa nga prishjet kanë marrë më shumë kohë për t’u rregulluar e disa janë rregulluar më shpejtë.

“Ne falënderojmë të gjithë punëtorët e KEDS që vazhdojnë te qëndrojnë në terren si dhe qytetarët e shumtë që kanë lajmëruar prishjet dhe kanë asistuar me qëllim të sanimit të gjendjes në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.