KEDS njofton se Parku i Biznesit do ballafaqohet me rënie tensioni gjatë vikendit

KEDS përmes një njoftimi për media ka paralajmëruar se do të ndalë transformatorin TR1 në nënstacionin e Lipjanit me kërkesë të KOSTT-it, Parku i Biznesit do të ballafaqohet me rënie të tensionit gjatë vikendit.

Lajme

28/09/2017 16:39

 

“Ju njoftojmë se me kërkesë të KOSTT-it, do të shkyçë transformatorin TR 1 në nënstacionin (NS) 110/35/10 kV Lipjani nga data 30 shtator deri me 1 tetor në ora 7:00. Transformatori T3 do të jetë në punë gjatë periudhës së njëjtë kohore”, thuhet në njoftim.

Punimet e KOSTT-it do të zgjasin deri në fund të vitit dhe mund të ketë edhe kërkesa tjera për shkyçje të transformatorit TR1 në NS Lipjani.

“Linja 35 kV Magure-Parku i Biznesit do të jetë jashtë operimit, por janë ndërmarrë masat për furnizim alternativ të bizneseve nga linja 35 kV TC Kosova A-Parku Biznesit. Për shkak se kjo linjë ka kapacitetet të kufizuar, gjatë kohës që TR1 do jetë jashtë operimit, në kohën e lartë cekur pritet të ketë rënie të kualitetit të furnizimit (ulje të tensionit)”, thuhet tutje në njoftim.

“KOSTT dhe KEDS lusin për mirëkuptim nga bizneset dhe konsumatorët që afektohen nga këto punime. Rehabilitimi i NS 110/35/10 kV Lipjani do të ndikojë në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit për rajonin e Lipjanit”, përfundon njoftimi.