KEDS këshillon konsumatorët rreth efiçiencës së energjisë elektrike

KEDS zhvilloi aksionin për eficiencë të energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës dhe shpërbleu me qindra dhurata konsumatorët e rregullt.

Lajme

29/12/2017 17:33

 

Në kuadër të përgjegjësisë shoqërore korporative KEDS përmbyll vitin edhe me një tjetër projekt të rëndësishëm për komunitetin. Në javët e fundit të dhjetorit janë organizuar vizitat anekënd Kosovës me qëllim këshillimin rreth efiçiencës së energjisë elektrike.

Konsumatorëve derë me derë u janë dhënë shpjegime detaje se si ti përdorin pajisjet shtëpiake në mënyrë sa më eficiente për të kursyer energjinë elektrike. Më pas, të gjithëve u janë shpërndarë edhe fletushkat me udhëzimet përkatëse për eficiencë.

Kjo qasje ndryshe ka gëzuar tej mase konsumatorët.

Përveç këshillimit, KEDS ka falënderuar konsumatorët për besueshmëri dhe korrektësi duke i dhuruar fëmijëve të tyre dhurata me rastin e festave të fundvitit.

Në mënyrë vullnetare pjesë e projektit ishin ish-studentët e KEDS Academy, që tani janë pjesë e stafit të KEDS, bashkë me inxhinierët e distrikteve përkatëse. Studentët i dhanë konsumatorëve një broshurë me këshilla për efiçiencë të energjisë elektrike dhe me profesionalizëm u përgjigjën pyetjeve të tyre. Konsumatorët e mirëpritën vizitën dhe u shprehën shumë të interesuar për këshillat.

Ajo çka e karakterizoi këtë projekt ishin fytyrat e lumtura të fëmijëve.

Kështu, pesëvjeçari Jusuf Murati nga Livoçi i Gjilanit ka përjetuar një befasi të këndshme me rastin e festave të fundvitit. Atij, punëtorët e KEDS-it ia kanë bërë një pako me dhurata, të cilat nuk i priste. Të befasuar ishin edhe Erion e Engjull Neziri nga Ferizaj. Ata, me t’u kthyer nga shkolla, para shtëpisë së tyre po i prisnin punëtorët e KEDS-it, të cilët i gëzuan me dhurata.

KEDS njëjtë veproi edhe me dhjetëra fqinj të tyre, sikurse me qindra pagues të rregullt të energjisë elektrike.

Në KEDS janë deklaruar që konsumatorët dhe përgjegjësia shoqërore janë shumë të rëndësishëm. Për këtë arsye edhe u përmbyll viti me organizimin e këtij projekti.

KEDS gjatë tërë vitit ka pasur projekte të ndryshme, në kuadër të Përgjegjësive Shoqërore të Korporatës, duke ndihmuar në shumë drejtime komunitetin. Në kuadër të ktyre aktiviteteve janë mbajtur ligjëratat rreth efiçiencës së energjisë elektrike në shkolla fillore, është bërë rinovimi i shkollës “Fan Stilian Noli”, janë krijuar laboratorë me kompjuterë në 6 shkolla, janë hapur dy biblioteka në Reznik dhe Morinë etj.