KEDS-i po e diskriminon Drenasin, reduktime të ashpra të rrymës

Komuna e Drenasit ka reaguar ndaj veprimeve të Kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike (KEDS) për reduktimet e ashpra në lokalitetet e kësaj komune, ku thuhet se janë duke u dëmtuar mbi 1600 biznese aktive të kësaj Komune. Komuna e Drenasit u ka bërë thirrje KEDS-it që të mos veproj me ndërprerje të energjisë elektrike ne mënyrë kolektive.

Lajme

29/09/2014 13:22

Përmes një komunikate për media, Komuna e Drenasit ka thënë se nuk pajtohet me veprimet e KEDS-it që po i benë në fshatrat e kësaj komune.

“Kategorizimi i KEDS-it për Drenasin që të mbetet në kategorinë C është diskriminues dhe kundër të drejtave të njeriut dhe aplikimi i këtyre masave ka elemente shqetësuese për banorët e komunës sonë, ngase në këtë mënyrë po pësojnë edhe ata që i paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike dhe Komuna e Drenasit është kundër kësaj mase diskriminuese për konsumatorët e ndërgjegjshëm që po e përjetojnë këtë veprim të KEDS-it”.

“Janë duke u demtuar mbi 1600 biznese aktive të kësaj Komune, ndaj i bëjmë thirrje KEDS-it që të mos veproj me ndërprerje të energjisë elektrike ne mënyrë kolektive. Deri sa faturat paguhen në mënyrë individuale nga ekonomitë familjare edhe veprimet e KEDS-it duhet të jenë ndëshkuese vetëm për atë kategori që nuk është e rregullt me pagesat e faturimit, por jo të jetë një regjion me 10 fshatra me nga tetë orë në ditë pa energji elektrike”. 

“Në asnjë rast nuk ka dënime kolektive, siç po bënë në këtë rast KEDS-i me konsumatorët që paguajnë rregullisht, por përgjegjësia gjithëherë është individuale. Ne si komunë këtë reagim e bëjmë edhe duke u bazuar në ankesat e shumta të qytetarëve tanë, dhe kërkojmë nga KEDS-i që aplikimin e formave të tilla të ndërprerjes së energjisë kolektive të ndalojë menjëherë”, thuhet në komunikatë.