KEDS-i arsyeton reduktimet, nuk i komenton ‘kërcënimet’ e politikës

Reduktimet e vazhdueshme të rrymës po vazhdojnë të paraqesin problem shumë të madh për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.

Lajme

24/11/2018 20:18

Shumë prej këtyre të fundit, po e konsiderojnë KEDS-in fajtor për humbjet që po u shkaktohen nga mungesa e energjisë elektrike, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me të njëjtën çështje është ankuar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkruante se është zhgënjyese sjellja e KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit.

“Zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike”, shkruante Haradinaj.

E për problemet me energjinë elektrike,  lajmi.net ka kontaktuar sot me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala.

Teksa nuk ka komentuar akuzat e kryeministrit Haradinaj, Buzhala ka thënë se sot nuk ka pasur reduktime të shpeshta.

Ai ka bërë të ditur se prodhimi i energjisë është ende i ulët, mirëpo se përmirësimi ka ndodhur si pasojë e rritjes së temperaturave, që ka rezultuar me ulje të konsumit.

“Sot nuk ka pasur reduktime. Prodhimi vazhdon të mbetet i ulët, por përmirësimi ka ndodhur si pasojë e rritjes së temperaurave që kanë rezultuar me ulje të konsumit. Ulja e konsumit ka ndodhur edhe në rajon. Si pasojë ka pasur më tepër energji në dispozicion e cila ka rezultuar edhe me rënie të cmimit të importit. Kjo i ka mundësuar KEDS-it të marrë më tepër energji nga jashtë”, ka thënë Buzhala.

E për situatën e djeshme me energji elektrike, Buzhala ka thënë se prodhimi vendor nuk po arrin të mbulojë as 50 për qind të konsumit.

“Për situatën e djeshme ju e dini që nga prodhimi vendor po arrihet të prodhohen më pak se 400 megavatë/orë që nuk arrinë të mbulojë as 50% të konsumit”, ka thënë tutje ai.

Buzhala po ashtu u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kursejnë energjinë, në mënyrë që tejkalohet situata në të cilën jemi aktualisht.

Theksojmë se në lidhje me të njëjtën çështje Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji, Qeverisë dhe institucioneve të tjera të marrin masa të menjëhershme ndaj KEDS/KESCO si përgjegjës për ndërprerjet e paligjshme të furnizimit me energji elektrike.

Në reagimin e INDEP, thuhet se në ditët e fundit, kanë parë ndërprerje të pa arsyeshme dhe të paplanifikuara të furnizimit me energji elektrike./Lajmi.net/

Lexo edhe:

http://lajmi.net/reduktimet-e-energjise-indep-thirrje-zrre-se-dhe-qeverise-merrni-masa-ndaj-keds-it/