KEDS e lëshon përkohësisht rrymën në Llamkos, mënjanohet shpërthimi i amoniakut

Gjatë ditës së djeshme ka ekzistuar rreziku që të shpërthej amoniaku nga nxehja e rezervuarëve në fabrikën “Llamkos” në Vushtrri, Por kjo është evituar përkohësisht, pasi që ka ndërhyrë njësiti i zjarrfikësve.

Lajme

06/05/2015 17:16

Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it, ka thënë për Indeksonline se kompanisë së Llamkosit i është shkëputur kontrata për energji elektrike që nga falimentimi i saj, dhe si e tillë pa u paguar borxhi energjia në atë ndërmarrje nuk do të lëshohet.

“Llamkos ka borxhe të mëdha ndaj KEDS të cilat duhen paguar, ashtu siç paguajnë edhe konsumatorët tjerë.

Dy kompanitë që kanë menaxhuar me kompaninë (ish pronarët dhe administratorët e tanishëm) kanë lejuar ekzistimin e materieve të rrezikshme për një kohë të gjatë duke mos bërë trajtimin e tyre sipas standardeve respektive ”, ka thënë Shkodra.

Ai ka bërë të ditur se do të bëhet rikyqja e një pjese në Llamkos, por ajo nuk do të jetë afatgjate.

“Sot papritmas jemi njoftuar që këto materie mund të eksplodojnë. Për të parandaluar çfarëdo dëmi qytetarëve të Republikës së Kosovës ne bazuar në marrëveshjet e diskutuara, do të bëjmë rikycjen e një pjese në rrjetin e furnizimit me energji elektrike sidoqoftë, kjo nuk do të jetë e aplikueshme për një kohë të gjatë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme administratori i fabrikës “Llamkos”, Virtyt Ibrahimaga është pritur në takim nga nënkryetari i komunës së Vushtrrisë, Dibran Perquku, ku ky i fundit i ka kërkuar zbrazjen e rezervuarëve me amoniak nga hapësirat e “Llamkosit”, pasi që aty nuk ka siguri për shkak të mospërkujdesjes adekuate.

E Ibrahimaga sot ka vizituar fabrikën “Llamkos”, në të cilën edhe sot patën punë zjarrfikësit, pasi që është dashur prapë të intervenohet në ftohjen e rezervuarëve.

Ai ka shkuar për të biseduar me përfaqësuesit e KEDS-it, me të cilët arriti një marrëveshje që t’i lëshohet rryma kësaj fabrike që gjendet jashtë funksioni, me qëllim që të mund të ftohen rezervuarët e amoniakut për ta mbajtur temperaturën konstante. Sipas burimeve të portalit, administratori i Llamkosit po kërkon marrëveshje me KEDS-in që ti paguaj shpenzimet e energjisë që do të shpenzohet tash e tutje.

Indeksonline ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Vushtrrisë, Nezir Klinaku. Ai ka treguar se gjendja në Llamarinë është stabilizuar dhe temperatura e rezervuarëve është stabile. Klinaku ka treguar se gjatë ditës së sotme drejtoria që ai e udhëheq është takuar me administratorin e fabrikës së Llamkos-it.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme njësiti i zjarrfikësve ka ftohur me ujë në mënyrë mekanike rezervuarët e amoniakut, duke e shmangur rrezikun për ditën e sotme.

Mirëpo, gjendja mbetet jo stabile, pasi që nëse në ditët e ardhshme kemi ngritje të temperaturave, atëherë do të mbinxehen prapë rezervuarët, gjë që paraqet rrezik të madh për rrjedhjen e amoniakut, i cili është shumë i rrezikshëm për jetën e qytetarët në një largësi prej 2.5 kilometrash nga fabrika.

E qytetarët e asaj ane po ndihen të rrezikuar dhe në panik nga nxehja e rezervuarve të amoniakut.

Bekim Rrustemi banor i asaj ane ka thënë për Indeksonline se ai dhe familja e tij janë në panik nga ekipet e zjarrfikësve dhe policisë që po e mbikëqyrin atë pjesë.

“Unë e di që ato rezervar janë të rrezikshme. Ka një kohë qe ne e kemi vërejt. E tash tan këta zjarrfikës e këta me të vërtetë duhet të dalim nga këtu”, ka thënë Rrustemi.