KE vlerëson Kosovën për programin e reformave në ekonomi – Lajmi.net
KE vlerëson Kosovën për programin e reformave në ekonomi
Autori: Lajmi.net EkonomiLajme 13:27, 6 March 2018
Delegacioni nga Komisioni Evropian (KE), i kryesuar nga Uwe Stamm, shefi i Njësisë nga Drejtoria e Përgjithshme për Financa (DG ECFIN) po qëndron në Kosovë për të vlerësuar dokumentin e “Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) 2018-2020” të hartuar nga institucionet e qeverisë në vend.

Delegacioni ka zhvilluar një takim me ministrin e Financave të Kosovës, Bedri Hamza, ndërsa pas këtij takimi u mbajt edhe mbledhja e koordinatorëve të fushave të Programit për Reforma në Ekonomi ku fjalime patën ministri, Bedri Hamza dhe shefi i Njësisë nga DG ECFIN në KE, Uwe Stamm.

Ministri Hamza tha se të gjitha rekomandimet, këshillat dhe kritikat lidhur me këtë program i vlerëson si ndihmë nga Komisioni Evropian. Ai tha se politika ekonomike qeverisëse ka një qëllim të qartë, që sipas tij, janë largimi i pengesave për realizmin e potencialeve ekonomike të Kosovës nga vetë qytetarët dhe bizneset.

Sipas tij, 20 masa reformash tashmë janë përditësuar për të reflektuar programin ndërsa shtoi se përmes procesit për reforma në ekonomi do të ndërmerret një hap i rëndësishëm.

“Përderisa ne pranojmë se problemet e ekonomisë tonë janë prezente dhe përmes një procesi të planifikimit strategjik ne orientojmë politikën tonë tek veprimet më kritike. Poashtu politikën tonë ekonomike e integrojmë në procesin e përgjithshëm të integrimit evropian në një kornizë konsultimesh që na lejon që vazhdimisht të përfitojmë nga ekspertiza e Komisionit dhe vazhdimisht të përmirësojmë procesin tonë planifikues”, tha Hamza.

Ndërkaq Stamm tha se është e rëndësishme të identifikohen rreziqet gjatë këtij programi ekonomik. Ai thekson se programi nuk do të vlerësohet vetëm nga KE dhe Banka Qendrore Evropiane, por edhe nga shtetet anëtare të BE-së, raporton AA.

“Shtetet anëtare të BE-së kanë një interesim të madh për këtë program. Ata dëshirojnë të shohin se me çfarë probleme ekonomike ballafaqohet shteti juaj. Ata poashtu janë të interesuar që të bashkëpunojnë me ju por edhe janë të interesuar që të bashkëpunojnë me një shtet në të cilin ka stabilitet makroekonomik dhe fiskal dhe i cili ka ide të qarta lidhur me problemet strukturale”, tha Stamm.

Kujtojmë se në kuadër të dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Qeveria e Kosovës për herë të katërt më 31 janar 2018 ka dorëzuar në KE programin e reformave në ekonomi. Programi për reforma ekonomike mbulon periudhën afatmesme tre-vjeçare 2018-2020 dhe bazohet në kornizën makrofiskale, prioritetet e strukturuara dhe masat tjera të programit të Qeverisë 2015-2018 dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO