KDI: Ministria e Infrastrukturës, me tenderë të dyshimtë

Ministria e Infrastrukturës ka rritë vlerat e kontratave për qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë,vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës. KDI po ashtu ka thënë se në Ministrinë e Infrastrukturës, operatorët ekonomikë  të cilët kryejnë punë të njëjta në mirëmbajtjen e rrugëve paguhen ndryshe për punën e njëjtë.

Lajme

19/04/2014 15:26

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),  ka vlerësuar se në  tenderët e Ministrisë së Infrastrukturës, vlerat e kontratave janë rritur shumë shpesh për qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë.

Isuf Zena nga KDI, ka thënë  se nga të gjeturat pas një hulumtimi monitorues të prokurimit publik në 12 tenderët e Ministrisë së Infrastrukturës,  edhe operatorët ekonomik të cilët kryejnë punë të njëjta në mirëmbajtjen e rrugëve paguhen ndryshe për punën e njëjtë.

“Një prej problemeve që i ka prekur më së shumti tenderët, kanë qenë gabimet e shpeshta aritmetikore. Vlerat e kontratave shumë shpesh janë rritur për qindra e mijëra euro në mënyrë të dyshimtë dhe atë në shumë raste”.

“Dua ta përmendi këtu rastin e Pejës. Mirëmbajtja e rrugëve në Pejë, në Ferizaj në Gjakovë ose edhe ndërtimi i rrugës për fshatin Tërstenik të Pejës”.

“Në të gjitha këto raste ka pasur gabime aritmetikore. Ne nuk kemi mundur t’i vërtetojmë nëse kanë qenë të rastësishme ose janë bërë me qëllim prej operatorëve ekonomikë edhe Ministrisë së Infrastrukturës, për shkak se nuk na është lejuar qasje në ofertat e operatorëve”, ka thënë  Isuf  Zena nga KDI.

“Problem tjetër që e kemi hasur në monitorimin e prokurimit publik në Ministrinë e infrastrukturës, është edhe dallimi i çmimeve për punë të njëjta. Operatorët e ekonomikë të cilët kryejnë punë të njëjta, paguhen ndryshe në Prishtinë”.

“Ndryshe ta zëmë në Pejë, dallimet ndonjëherë arrijnë deri në gjashtëfish. Ne e kemi bërë një krahasim tek mirëmbajtja e rrugëve edhe kemi parë që disa operatorë për punë të caktuara paguhen shumë më lirë në Prishtinë e shumë më shtrenjtë në Pejë”.

Isuf Zena, një nga hartuesit të këtij raporti, thotë se për shtatë muaj KDI nuk ka mundur t’i qaset asnjë dokumenti të kësaj ministrie, e siç thotë ai, kjo për arsye se Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me KDI-në. Këtë ndërprerje ai e cilëson si absurde.

Ai  tha se vetëm pas ankesave që i kenë bërë tek Ministri e Infrastrukturës por edhe tek Avokati i Popullit, e me një vonesë shumë të madhe, kanë arritur që t’i marrim një numër të dokumenteve.