KDI-liderëve opozitarë: Përgjigjuni pozitivisht ftesës së presidentes

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka inkurajuar liderët e subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes Atifete Jahjaga, duke porositur liderët që të pajtohen dhe të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë.

Lajme

07/02/2016 15:29

KDI në një konferencë për media nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet në vend karshi krizës politike që tashmë po hyn në muajin e gjashtë të saj.

Sipas KDI-së, funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vitale për funksionimin e tërësishëm të shtetit.

“Përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kemi bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që të përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike. Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.Sipas parimeve të ndarjes së pushtetit, Kushtetuta obligon kreun e shtetit të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore. Duke qenë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI përkrah iniciativën e Presidentes Ja hjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, thuhet në komunikatë të KDI-së.

KDI ka rikujtuar partive politike dhe udhëheqësve politikë e institucional që të jenë të vetëdijshëmpër sfidat me të cilat si shoqëri, si subjekte politike dhe institucione shtetërore jemi ballafaquar në vitin e fundit, të përkushtohen që bashkërisht t’i adresojnë këto sfida, në mënyrë që të mos përbëjnë kërcënim për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Të njohin faktin se shteti ynë është ndërtuar mbi bazën e të drejtave dhe lirive qytetare, me mundin dhe jetën e shumë prej tyre, pa harruar as përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtarë që të garantojnë një shtet me vlera demokratike, prandaj të përkushtohen që këto obligime kushtetuese t’i adresojnë përmes dialogut politik gjithëpërfshirës. Të jenë të vendosur për të dhënë kontri butin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të lirë nga dhuna, frika, urrejtja, korrupsioni, dhe të jenë të përkushtuar për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie e cila garanton sundimin e ligjit, lirisë së mendimit e të lëvizjes, transparencës, mirëqeverisjes, prosperitet, zhvillim, dinjitet dhe barazisë për të gjithë. Të pajtohen të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë. Të garantojnë se do të respektojnë dhe do të marrim në përgjegjësi të gjitha obligimet kushtetuese e shtetërore, të cila janë rezultat i aspiratave të qytetarëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, për të forcuar funksionalitetin shtetëror me vlera të integrimeve properëndimore”, thuhet në komunikatë.

KDI po ashtu ka porositur liderët që të jenë vizionarë për të treguar rrugën e funksionimit të shtetit mbi bazën e dialogut për vendimet e mëdha nacionale, në përputhje me frymën dhe rendin kushtetues të Kosovës.