Katërshja e Juridikut: Rektori mori vendim joligjor e antikushtetues

Katër profesorë të Juridikut, me pozita të larta në hierarkinë shtetërore, e kanë kontestuar një vendim të rektorit Ramadan Zejnullahu, nëpërmjet të të cilit kthehen në “bashkëpunëtorë të jashtëm” profesorët që janë të zgjedhur apo të emëruar në ndonjë post publik apo menaxhues.

Lajme

12/12/2014 08:45

Vendimin e Zejnullahut e kanë gjykuar për antiligjor dhe antikushtetues, shkruan sot Koha Ditore.

Ankesa është firmosur nga Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë, si dhe Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Firmat i kanë vënë vetëm në kapacitetin e profesorit. Të katërtit janë profesorë të rregullt në Juridik, gradë kjo më e larta akademike që jep Universiteti i Prishtinës.

“Gjendja, pozita dhe statusi i profesorëve të rregullt nuk guxon dhe nuk mund të ndryshohet njëanshëm me akte individuale të organeve të Universitetit”, thuhet në ankesën që është përcjellë në Dekanatin e Juridikut dhe përmes tij në Rektorat.

“Kjo paraqet cenim të parimeve kushtetuese mbi sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike, si dhe cenim të të drejtave kushtetuese mbi lirinë e artit e shkencës (neni 48 i Kushtetutës), si dhe të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit (neni 49 i Kushtetutës)”, shkruan ankesa.