Katër realitetet e rrezikshme kosovare

Shtator më problematik në politikën dhe shoqërinë kosovare nuk mbajmë në mend në Kosovë që prej çlirimit, në vitin 1999 e këndej.

Lajme

12/09/2014 15:24

Pakkush në këtë shoqërinë dhe politikën tonë kosovare do të merret shumë me një lajm i cili flet shumë për aktualitetin kosovar. Këto ditë, me 15 shtator, pas shtyrjeve dhe zvarritjeve të njëpasnjëshme që kanë fillin e tyre qysh në vitin 2007, autoritetet qeveritare është dashtë të vendosin se kush është fitues në tenderin për ndërtimin e 600 Megavatëve të energjisë, në kuadër to Projektit ‘Kosova e Re’.

Supozohet që kemi të bëjmë me së paku 800-900 milionë Euro të investimeve të jashtme në Kosovë, një shumë që viteve të fundit është e paimagjinueshme. Por, për shkaqe të njohura, apo, në mungesë të një adrese të qartë qeveritare, vendimi për ‘Kosovën e Re’ është po ai i vjetri: Një tjetër prolongim, tash tremujor, deri në fund të këtij viti.

Kjo do të thotë që as në vitin 2015 nuk do të mund të nisë ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë. Pa rrymë nuk ka zhvillim ekonomik. Pa rritje ekonomike nuk ka zbutje të papunësisë. Pa uljen e papunësisë nuk ka stabilitet social. Pa të gjitha këto nuk ka rahati në shtetin e Kosovës. Për askënd.

Pak javë më parë u mor vesh që buxheti i Qendrës Studentore është më i shkurt për gjysmë milioni Euro, si pasojë e masave parazgjedhore të Qeverisë aktuale të Kosovës. Universitetit publik të Prishtinës, i duhen edhe pesë milionë Euro, për ta përmbyllur vitin. Në rishikimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2014, i cili është dashtë të ndodhë në shtator, së paku 40-50 milionë Euro do të duhej të ri-ndahen për rrogat dhe pensionet që janë rritë tash e pesë muaj. Afër 1000 punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, tutje kërkojnë mbi 26 milionë Euro. Fermerët anekënd Kosovës, kërkojnë gjithashtu miliona Eurot e premtuara në masat parazgjedhore.

Pa funksionim të duhur të Qeverisë nuk ka menaxhim ligjor të parasë publike, nuk ka rroga dhe pensione me kohë, nuk ka rahati në shtetin e Kosovës. Për askënd.

Në teori së paku, nëse gjendja e sotme vazhdon edhe pak muaj, Kosova nuk do të ketë buxhet fare, dhe në tre muajt e parë të vitit 2015 do të duhej aplikuar masat e veçanta për buxhet, të cilat shteren me 1 prill 2015. Pra, në ditën e gënjeshtrave do të mund të shpallej e vërteta shumë e hidhur për bankrotimin e shtetit të Kosovës.

Të gjitha këto pasoja dalin në shesh si një paralajmërim i kobshëm për Kosovën në ditët kur po ndodhë një përplasje e rrezikshme midis realitetit politik në vend, realitetit ligjor, realitetit financiar dhe realitetit ekonomik.

Në fakt, do të duhej të flitej në rrethana normale për një të vetmin realitet që njeh disa aspekte a dimensione të veta. Kur në një vend, siç është rast tash në Kosovë, kemi relacione të kundërshtimit dhe të përjashtimit midis këtyre katër realiteteve, atëherë është tej mase e vështirë të gjinden fjalë të prehjes a të ngushëllimit.

Realiteti ligjor në këtë Kosovën paszgjedhore është i njohur për të gjithë, pas dy Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Por ai nuk i rri as afër realitetit të ri politik që është krijuar muajve të fundit, i cili ka sqaruar raportin e forcave politike në Kuvendin e Kosovës dhe potencialin për krijimin e institucioneve qendrore.

Teksa vazhdon shpërputhja midis këtyre dy realiteteve, po ndodhë ai degradimi i vazhdueshëm i realitetit financiar të Kosovës, faturat e të cilit  (degradim) do të duhet të paguhen prej të gjithë neve. A nuk e patëm zaten pak ditë më parë vendimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë për 5%? Dihet që kjo masë do të ketë efekte zinxhirore pastaj, dhe kostoja e jetës do të shtrenjtohet goxha shumë.

Në ndërkohë po thellohen edhe telashet ekonomike, sepse nuk ka para në treg, nuk ka harxhime në investimet kapitale dhe rritja ekonomike në këtë vit nuk ka aspak gjasa të jetë 4% sa është parashikuar në fund të këtij viti.

Me gjitha këto statistika problematike dhe me përshkrimin e përplasjes së realiteteve në Kosovë, ndodhë edhe ulja e shkallës së durimit të qytetarëve, shtimi i pakënaqësisë së qytetarëve të rëndomtë me gjendjen e tyre dhe me politikën kosovare, paralajmërimet serioze për protesta sociale, dhe parashikimet që në rast të organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare, as gjysma e votuesve që morën pjesë në zgjedhjet e 8 qershorit, nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Shtator më problematik nuk mbajmë në mend në Kosovë që prej çlirimit e këndej.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)