Katër ministrat e rinj betohen tek Nishani

Pa praninë e mediave, katër ministrat e rinj të votuar në seancën parlamentare janë betuar pasditen e së premtes përpara presidentit Bujari Nishani.

Lajme

24/03/2017 17:58

 

Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm, Olta Xhaçka si ministre e Mirëqënies Sociale, Eduart Shalsi si ministër i Pushtetit Vendor dhe Ogerta Manastirliu si ministre e Shëndetësisë.

Të katër ministrat kanë qenë të shoqëruar në ceremoninë e betimit nga zv.kryeministri Niko Peleshi.

Presidenti Nishani kishte deklaruar më herët se për të, figura e Xhafajt ishte e papërshtatshme për postin e ministrit, por për shkak të Kushtetutës ai nuk kishte asnjë fuqi ligjore për ta bllokuar dekretimin e tij, i cili u votua në Parlament me votat e mazhorancës.

Në këto kushte, atij nuk i mbetej asgjë tjetër veçse të zyrtarizonte këtë të premte Xhafajn dhe tre ministrat e tjerë në postet e tyre të reja.