Katër kandidat për kryetar të Komunës së Graçanicës

Përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Graçanicës, që do të mbahen më 18 janar 2015, janë duke shkuar sipas planifikimeve të bëra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u tha në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Lajme

29/12/2014 12:52

Në këtë mbledhje, të kryesuar nga anëtari i Komisionit Betim Gjoshi, në të vetmen pikë të rendit të ditës u certifikuan subjektet politike dhe kandidatët e tyre për pjesëmarrje në këto zgjedhje. 

Partitë dhe kandidatët që u certifikuan janë: Iniciativa Qytetare G. I. Srpska, me kandidat Vladeta Kostiq, si dhe partitë Nova Partia Kosova (NPK) me Dragisha Miriq, Progresivna Demokratska Stranka (PDS) me Nenad Rashiq dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kandidat i së cilës është Shaip Berisha. 

“Ne si Komision Zgjedhor jemi në fazën e përgatitjes për zgjedhje të jashtëzakonshme në Komunë e Graçanicës. Një nga momentet më të rëndësishme është rekomandimi për certifikimin e kandidatëve“, tha Gjoshi. 

Ndërkaq, drejtoresha e Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Miradije Mavriqi, tha se zyra deri më 26 dhjetor e ka përfunduar procedimin e aplikacioneve për certifikim të katër subjekteve politike të cilat kanë aplikuar me kandidatë për kryetar të komunës së Graçanicës. 

“Duke u bazuar në nenin 15 dhe 25 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe gjithashtu në nenet 13 dhe 14 të Ligjit për zgjedhje lokale në Republikës e Kosovës, si dhe në nenin 3 të rregullit zgjedhor me numër 15/2013 për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe zgjedhje të parakohshme si dhe planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, për zgjedhjet që do të mbahen me 18 janar 2015 e parashohin kushtet për paraqitje ose për procesin të aplikacioneve për certifikim. Këto subjekte politike e kanë dorëzuar dokumentacionin që është plotësuar konform këtyre ligjeve dhe rregullave të lartcekura. Dy subjekte politike janë të cilat nuk kanë pasur vend nga zgjedhjet e kaluara dhe e kanë plotësuar dokumentacionin me nënshkrime shtesë dhe me pagesë për certifikim” tha Mavriqi. 

Të gjithë kandidatët u votuan dhe i morën votat e anëtarëve të KQZ për certifikim, vetëm Vladeta Kostiq nuk mori votën e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi. Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Graçanicës, po mbahen shkaku i dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm, i cili është bërë pjesë e ekzekutivit qendror të Republikës së Kosovës.