Katër gjimnaste prezantojnë Kosovën në Itali

Kosova nga nesër (e premte) deri të mërkurën do të marrë pjesë në “Gold” Artistic Gymnastic Championship 2017/2018 me katër gjimnaste dhe dy trajnerë.

Sport

31/05/2018 20:57

Gjimnastet Bora Hoti, Amela Gërbeshi, Vilëza Zeqiri dhe Valëza Rama, të udhëhequra nga trajneri Shkumbin Maqastena dhe trajnerja me përvojë ndërkombëtare Abeliana Bregu, do ta shkruajnë historinë e re në sportin e gjimnastikës së Kosovës, pasi për herë të parë, pas konsolidimit të Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, do të marrin pjesë në një garë ndërkombëtare. Në fakt, këto vasha do ta përfaqësojnë Kosovën në garën “Gold” Artistic Gymnastic Championship 2017/2018 që mbahet nga data 1 deri më 3 qershor në Romë të Italisë. Ftesa për pjesëmarrje ka ardhur nga Asociacioni Sportiv Sociali Italiane në Federatën e Gjimnastikës së Kosovës.

Trajneri Shkumbin Maqastena për “Epokën e re”, ka thënë se ndihet i lumtur që Kosova do të marrë pjesë në një ngjarje kaq të rëndësishme ndërkombëtare. “Është e mirëseardhur pjesëmarrja në Itali, pasi që prej pavarësimit të sportit Kosova nuk ka prezantuar diçka të mirëfilltë jashtë vendit. Është diçka e madhe që pas një viti e gjysmë punë të marrim pjesë në kampionatin e gjimnastikës të organizuar nga Consport Italia”, ka thënë Maqastena, i cili ka falënderuar Federatën e Gjimnastikës së Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e dhënë. “Kemi mbështetje financiare dhe morale nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës, edhe prej Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që e ka kryer si duhet punën rreth pajisjes me viza. Shfrytëzoj rastin ta falënderoj ministrin e MKRS-së dhe kryetarin e FGjK-së për punën që kanë bërë”, ka deklaruar ai.

Edhe pse kjo është hera e parë që gjimnastet dalin në arenën ndërkombëtare pas konsolidimit të Federatës së Gjimnastikës, trajneri Maqastena beson paraqitje dinjitoze, pse jo edhe medalje. “Nuk kemi bërë asnjë matje jashtë vendit dhe nuk e dimë se si do të shkojnë punët. Nuk e dimë se sa fëmijët do t’i kalojnë emocionet e pjesëmarrjes në këtë garë dhe t’i prezantojnë ashtu siç duhet elementet e përgatitura. Besoj se paraqitja do të jetë e mirë dhe nuk e përjashtoj mundësinë e fitimit të ndonjë medalje”, ka shtuar Maqastena.

Për pjesëmarrjen e katër gjimnasteve të reja, Bora Hoti, Amela Gërbeshi, Vilëza Zeqiri dhe Valëza Rama, në garën që zhvillohet në kryeqytetin italian, foli edhe kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës (FGjK), Besim Halilaj. Ky i fundit, ashtu sikurse trajneri Shkumbin Maqastena, është optimist se këto garuese do të prezantohen në mënyrën më të mirë në Itali. “Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në gara ndërkombëtare, pasi për herë të parë Federata e Gjimnastikës u prezantua në Gjeorgji me dy gjimnaste, por atëherë nuk është pritur se do të kemi ndonjë rezultat. Kemi marrë ftesë të prezantohemi me katër garues dhe dy trajnerë. Është një ndjenjë e veçantë, për faktin se sporti që përfaqëson ka mundësinë të prezantohet edhe jashtë vendit. Shpresojmë më të mirën e mundshme në këtë garë. Jemi duke punuar si federatë që t’i krijojmë kushte sa më të mira klubeve për t’u përgatitur për gara. Trajnerët që do të udhëtojnë në Itali po bëjnë një punë profesionale dhe besojmë të paktën në prezantim të denjë. I ftuar kam qenë edhe unë si kryetari i FGjK-së, por kam shumë punë këtu dhe nuk mund të udhëtoj”, ka deklaruar Halilaj.