Katari tërheq ambasadorin në Teheran

​Katari ka tërhequr sot ambasadorin e tij në Iran në vijim të sulmeve kundër përfaqësuesve diplomatikë të Arabisë Saudite në Republikën Islamike, bëri sot të ditur agjencia zyrtare e lajmeve e Katarit, QNA.

Bota

06/01/2016 23:52

 

“Ministria e Punëve të Jashtme tërhoqi ambasadorin e Katarit…, pas sulmeve kundër ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Teheran dhe konsullatës së përgjithshme në Mashad”, deklaroi zyrtari i Ministrisë, Khaled ben Ibrahim al-Hamar, cituar nga QNA-ja.

Ekzekutimi i së premtes nga ana e Riadit i një kundërshtari dhe kleriku shiit saudit ka ngjallur protesta dhe akte dhune të myslimanëve shiitë në disa vende në Lindjen e Mesme.

Pas sulmit të së shtunës kundër ambasadës së saj dhe konsullatës së përgjithshme, Arabia Saudite ka ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, një vendim i imituar nga Bahreini, Sudani dhe më pas Xhibuti.

Kuvajti tërhoqi ambasadorin e tij në Iran dhe Jordania nga ana e saj ka thirrur sot ambasadorin iranian në Aman.