Katalonja: Loja e maces me miun vazhdon

Papritur parlamenti i Katalonjës e shtyu votimin për zgjedhjen e Carles Puigdemontit si president rajonal. Presidenti i Parlamentit Roger Torrent do të fitojë kohë dhe kërkon një rrugëdalje.

Bota

31/01/2018 12:31

Rreth një mijë gazetarë nga e gjithë Evropa janë akredituar në Parlament në Barcelonë, sepse të gjithë presin të hënën pasdite vazhdimin e dramës politike të Katalonjës: rizgjedhjen e Presidentit rajonal Carles Puigdemont: ose në mungesë, ose – dhe këtë mediet do ta kishin preferuar më shumë – që të hapet ndonjë kapak pusete në parkun tropikal para godinës së Parlamentit dhe prej saj të dalë Puigdemonti. Ai i pati ndezur pritjet e shtypit dhe një mbrëmje më parë pati postuar një fotografi të hyrjes së parlamentit.

Policia spanjolle dha kontributin e saj: automjetet kontrolloheshin në hyrje të kalimeve kufitare franko-spanjolle, kapakët e kanaleve në parlament u kontrolluan me të vërtetë dhe forcat e ndërhyrjes ishin në pozicione, që të pengonin një hyrje të fshehtë të udhëheqësit të koalicionit të pavarësisë.

Zhgënjim në mëngjes

Rreth orës 10 në mëngjes, Presidenti i parlamentit Roger Torrent i shoi shpresat për një ditë të madhe lajmesh. “Unë do të shkoj deri në fund për t’i mbrojtur të drejtat e Puigdemontit”, deklaroi ai, por njëkohësisht duke mos i dhënë mbështetjen e shpresuar Carles Puigdemontit. Fituesi i zgjedhjeve të dhjetorit pati shpresuar se deputetët do ta injoronin deklaratën e fundjavës të Gjykatës Kushtetuese, e cila pati urdhëruar një prani të detyruar për Presidentin e rajonit. Por Torrenti do të fitojë kohë. Ai e shtyu votimin për një datë tjetër, pa e caktuar atë. Me këtë ai vërtet që shkel të gjitha rregullat parlamentare, sepse afati përfundon në 31 janar, por me vogëlsi të tilla Independentistas nuk duan të merren.

Edhe një demonstratë dhe grindje pas perdeve

Pasdite mblidhen nën diellin më të bukur të dimrit ndoshta një mijë mbështetës të Carles Puigdemontit. “Ne nuk kthehemi pas”, thonë ata. Dhe”ti nuk je vetëm”. Grupi është vërtet i zhurshmëm, por kjo nuk mjafton për një demonstrim të fuqishëm force. Edhe në radhët e demonstruesve duket lodhje.

Pas perdeve përvijohen çarje në frontin politik. Partia e Puigdemont-it rri në sallë dhe disa të majtë të CUP thonë se do ta kalojnë demonstrativisht pasditen në parlament. Ata duan të tregojnë se nuk janë dakord me shtyrjen e votimit. Ata kanë ardhur për të votuar. Por Presidenti i Parlamentit, Roger Torrent bën pjesë në koalicionin ERC. Shefi i partisë së tij, Oriol Junqueras ndodhet që prej nëntorit në burg, i akuzuar për kryengritje dhe secesion. Thuhet se dy palët nuk flasin me njëri-tjetrin./DW