Kastrati e shkarkon Drejtoreshën e Arsimit në Kamenicë, e emëron përsëri një anëtare të VV-së

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, gjatë ditës së sotme ka nënshkruar një vendim i cili e liron nga detyra e Drejtoreshën e Arsimit, Ismete Thaçi. Kjo pasi ditë më parë, Kastrati dha një varg kritikash për të dhe partinë e Thaçit- Vetëvendosjen. Kryetari shprehej se ishte i pakënaqur me menaxhimin e kësaj drejtorie.

Lajme

14/10/2018 23:11

Kryetari i Kamenicës, ish-zyrtari i Vetëvendosjes, Qëndron Kastrati, tani pjesë e PSD-së, aludonte se “Vetëvendosje”, ka vendosur që në kurriz të nxënësve të Kamenicës të zgjedhë viktimizimin politik për disa vota.

Më pas thoshte se nuk e pranon këtë shantazh.

Madje Kastrati pohonte se udhëheqësit e “Vetëvendosjes”, në Kamenicë kanë marrë urdhër nga niveli qendror i kësaj partie, që kjo dorëheqje të mos ndodhë dhe në rast të shkarkimit të saj, të tërhiqen edhe drejtorët e tjerë që vijnë nga ky subjekt.

Gazeta Express merr vesh se në pozitën e Ismete Thaçit do të emërohet Mihane Morina po ashtu nga subjekti i “Vetëvendosjes”.

Me këtë rend Kastrati ka transferuar edhe një tjetër zyrtar të “Vetëvendosjes”, nga Drejtoria e Arsimit në atë të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.