Kasaphane në rrugët e Kosovës: 15 të vdekur dhe rreth 1200 të lënduar gjatë qershorit

Gjatë muajit qershor të këtij viti kanë ndodhur rreth 1500 aksidente në komunikacion, ndërsa si pasojë e tyre kanë mbetur të lënduar rreth 1200 persona, prej tyre kanë humbur jetën 15 persona .

Lajme

20/07/2017 15:33

Policia e Kosovës ka thënë se për lajmi.net se referuar statistikave të aksidenteve në trafikun rrugor në nivel vendi si pasojë e këtij qarkullimi apo fluksi më intensiv dhe pakujdesisë se drejtuesve të automjeteve kemi edhe numër më të madh të aksidenteve, fatkeqësisht të atyre me fatalitet.

“Sipas të dhënave të përgjithshme aksidentet me fatalitet gjatë muajit qershor kanë shënuar rritje, që do të thotë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi (4) persona më shumë qe kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Më tej, kjo zyrë ka bërë të ditur se gjatë sezonit veror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, veçanërisht të trafikut rrugor Policia e Kosovës ka përpiluar  një plan operativ policor të cilin edhe e kemi shpërndarë nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore për zbatim dhe implementim dhe masa ligjore do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik.

“Gjithashtu nga divizioni i trafikut rrugorë i PK-së janë përpiluar dhe shpërndarë fletëpalosje (gjeni te bashkangjitur) me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet që mbeten një shqetësim apo brengë për të gjithë ne”, thuhet në përgjigjen e Policisë, raporton lajmi.net.

Në fund, Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti tek vozitësit që të respektojnë rregullat e komunikacionit në mënyrë të që evitohen aksidentet.

“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe të respektojnë rregullat që dalin nga ligji i trafikut; t’i përmbahen shpejtësisë së përcaktuar me shenjat e trafikut, t’i shmangen ngasjes kur janë të lodhur/përgjumur, të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe mos të përdorin telefonat gjatë ngasjes së automjeteve sepse me veprime të tilla jo të sigurta po kontribuojnë në shtimin e aksidenteve dhe humbjen e jetëve njerëzore”, thuhet në apelin e Policisë. /Lajmi.net/

screenshot_5

screenshot_4