Kasami paralajmëron Zaevin: Shqiptarët nuk pranojnë diktator të ri!

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka reaguar për mbështetjen që po i jep kryeministri Zoran Zaev kandidatëve të BDI-së nëpër komuna.

Lajme

21/10/2017 14:07

Ai vlerëson se kreu i LSDM-së me siguri e di se promovimi i kandidatëve të BDI-së dhe pjesëmarrja e tij në tubime partiake elektorale si “kryeministër” janë në kundërshtim me rekomandimet e Pribes për “çkapje të shtetit nga partitë”. “Megjithatë, ndonëse është i vetëdijshëm se BDI vazhdon të udhëhiqet nga të njëjtit që prej kohes së regjimit dypartiak të uzurpimit të shtetit, kryeministri zgjodhi të jetë në krah të atyre që dikur i shpallte kriminel.

Dikur Zaev – ngaqë tani e tutje e humbi me vetiniciativë të drejtën të pranohet si kryeministër nga të gjithë – fliste për Kriteret e Kopenhagës dhe në përgjithësi për kulturën demokratike në shtet, ndërsa adresonte kërcënimet publike për bashkëpunim mes qeverisë dhe shtetit vetëm kur partitë e pushtetit kane shumicë dhe kryetar”, ka shkruar Kasami, në Facebook.

Kasami thekson se Zaev, me eksperiencën e tij si kryetar komune i një partie opozitare do të duhej t’i kujtohej se veprimet e tij të dertanishme nuk kanë asnjë lidhshmëri me shtetin e të drejtës dhe sundimin e ligjit.

“Dhe në fund, Zoran Zaev duhet ta dijë se gjysma e regjimit të Nikolla Gruevskit me BDI u rrëzua edhe me vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë të cilët ose do të jenë të barabartë juridikisht në këtë shtet, ose ky shtet nuk do të ekzistojë fare. Sepse, kurrë nuk do të lejojmë edhe një diktator të ri”. /SHENJA/