Kardiokirurgët largohen, s’duan të rrezikojnë pacientët

Dy mjek kardiokirurgë, Adem Grbolar e Raif Çavolli janë larguar nga puna e tyre që bëjnë në QKUK, për shkak të kushteve të papërshtatshme të punës. Këtë gjë, ata e kanë bërë pasi, kanë menduar se është më mirë të mos rrezikohet jeta e pacientëve të tyre.

Lajme

26/03/2014 08:36

Kushtet e papërshtatshme të punës e kanë shtyrë kardiokirurgun Adem Grbolar i cili rangohet i pesti në listën e kardiokirurgëve më të mirë botërorë, dhe kardiokirurgun tjetër kosovar Raif Çavolli, që nga janari të mos dalin në punë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shkruan gazeta “Koha Ditore”.

Ata kanë qenë të angazhuar si kardiokirurgë në Klinikën e Kardiokirurgjisë, me kontratë të plotë që nga qershori i vitit të kaluar. Prej janarit, kur ata janë larguar, operacionet në këtë klinikë kryhen nga mjekë që vijnë koha pas kohe nga jashtë.

Grbolar e Çavolli kanë folur për gazetën për arsyet që i kanë shtyrë të largohen e që sipas tyre janë stafi jo i kompletuar, mungesa e materialit, e setit kardiokirurgjik, sterilizimi i mangët, “organizimi anormal i klinikës”, referimi i pacientëve në klinika private, dhe kushtëzimi nga ana e Ministrisë që të kryen vetëm një deri në dy operacione në javë.

Ata kanë thënë se kanë kërkuar përmirësim të këtyre kushteve, por një gjë e tillë, sipas tyre, nuk është bërë nga menaxhmenti i QKUK-së dhe nga Ministria e Shëndetësisë. Kanë thënë se në këto kushte nuk duan të operojnë, për shkak se rrezikohet jeta e pacientëve, shkruan “Koha Ditore”.