Kapja për kryeministër, mesazh i keq

Analistët vlerësojnë se nëse ndodhë prishja e bllokut VLAN për shkak të postit të kryeministrit, atëherë qëllimi i bashkimit të tyre,pra moslejimi i qeverisë Thaçi 3, ka qenë pretekst për poste e jo për ofrimin e një qeverisje ndryshe.

Lajme

17/11/2014 08:22

Driton Selmanaj nga KDI mendon se qasja e bllokut mbi postin e kryeministrit është mesazh i gabuar. Ai thotë se pozitat politike duhet të ishin krejtësisht relevante karshi qëllimit që këto parti duan të arrijnë.

“Unë mendoj se ata do të duhej të relfektonin mbi këtë cështje dhe të zhvillonin debat dhe të reflektonin mbi bazën e fuqisë politike brenda bllokut. Them që kjo qasje e tyre është një mesazh i keq dhe është në kundërshtim me diskursin që ata e promovojnë që elementi kryesor është që të mos e lejojnë Thaçi 3, ndërsa tanimë kemi një përplasje të brendshme për një post të caktuar. Nëse vërtetë dëshirojë që mos të lejojnë edhe jnjë qeverisje Thaçi 3, atëherë cështja e pozitave do të duhej të ishte krejtësisht irelevante, them në kuptimin e asaj motoje ose qëllimi që dëshirojnë të arrijnë”, ka thënë Selmanaj për Tribuna.

E për analistin Albert Krasniqi nga KIPRED, ndarja e posteve në Bllok që në fillet e saj, ishte tregues se postet gjithashtu janë të rëndësishme, dhe ai hedh dyshimin se ndoshta postet për këto parti janë më të rëndësishme se sa vet largimi i Thaçit nga qeverisja.

“Ndarja e posteve në marrëveshjen fillestare, pa diskutuar parimet e qeverisjes, është tregues i saj se postet janë gjithashtu të rëndësishme, madje më të rëndësishme se parandalimi i qeverisjes së Thaçit, sidomos për partitë të cilat kanë kaluar kohë të gjatë në opozitë”.

Në këtë linjë të mendimit është edhe profesori universitar Behlul Beqaj, i cili thotë se nëse Blloku prishet për postin e Kryeministrit, atëherë i gjithë qëllimi që ata u bashkuan këtu e më shumë se pesë muaj më parë, ka qenë pretekst.

“Nëse prishet Blloku vetëm për shkak të zgjidhjeve kadrovike që nënkupton përfshirjen e PDK-së në pushtet do të thotë se platforma anti Thaçi 3, ka qenë vetëm pretekst. Ndërsa qëllimi kryesor i VLAN-it ishte akomodimi i këtij apo atij lideri, prandaj cdo përfshirje e cdo subjekti të VLAN-it në bashkëqeverisje me PDK-në do të thotë se ata platformën e kanë pasur vetëm pretekst pas të cilit fshihej ambicia pushtetare, e jo ndërrimi i mënyrës dhe përmbajtjes së pushtetit”, ka thënë Beqaj për Tribuna.

Me marrëveshjen e 10 qershorit mes LDK-së, AAK-së dhe Nismas, posti i kryeministrit i ishte dhënë AAK-së, përkatësisht liderit të saj Ramush Haradinaj. Por, me pranimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese se posti i kryeparlamentari i takon vetëm PDK-së, LDK-ja si partia më e madhe në Bllok, po insiston që të merr postin e kryeministrit për të akomoduar liderin e saj, Isa Mustafa, transmeton lajmi.net.