Kapitujt e kapitullimit të Serbisë në Kosovë

Serbia qysh në kapitujt e parë të negocimit me BE-në, pritet të ndeshet me vështirësi të shumta. Pas negocimit të kapitullit 23, për të cilët lajmi.net ka raportuar në artikujt e botuar ditë më parë, Serbia do të negociojë edhe kapitullin 24, 26 dhe 35.

Lajme

05/04/2015 16:36

Sipas burimeve diplomatike të lajmi.net, edhe për hapjen e kapitullit 24 për sundimin e ligjit, liritë dhe sigurinë, Serbia është kushtëzuar me hartimin e planit të veprimit.

“Me planin implementues nënkuptohen të gjitha masat që duhet të ndërmerren për harmonizimin e legjislacionit serb në fusha të caktuara me acquis communitaire. Problemi me të cilin do të ballafaqohet Serbia para hapjes së mundshme të kapitullit 24 është se janë 3 ‘benchmarks’ që kanë të bëjnë me Kosovën”, thotë ky diplomat.

Sipas tij, këto tre çështje janë nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhesim me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë edhe Kosovën. Kontrolli i kufijve (IBM) me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë edhe Kosovën, si dhe bashkëpunimi në çështje civile dhe juridike, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar juridik me të gjitha shtetet fqinje dhe Kosovën.

“Këto masa për momentin Serbia nuk po dëshiron apo nuk mundet t’i zbatojë dhe po kërkon që të përfshihen në kapitullin 35, i cili do të hapet më vonë. Por, BE-ja gjatë gjithë kohës po insiston se këto janë çështje teknike”, tregon ky burim.

Plani i veprimit për kapitullin 24, i cili u ishte dorëzuar institucioneve të BE-së nga ana e Serbisë, ishte vlerësuar si i papranueshëm dhe BE-ja ia kishte kthyer Serbisë po për këto tre çështje, sepse nuk i kishte përfshirë.

“Edhe një çështje shtesë ku Kosova i krijon implikime Serbisë në këtë kapitull është mosdefinimi i rrjetit të gjykatave, konkretisht trajtimi i gjykatave që kanë funksionuar në territorin e Kosovës”, shton ky diplomat, sipas të cilit me nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësinë dhe zbatimin e saj kjo çështje edhe mund të tejkalohet.

Ndërsa, njëra prej pengesave themelore të Serbisë në kapitullin 26, që përfshin arsimin dhe kulturën është trajtimi i universiteteve në Kosovë.

“Serbia e ka kusht definimin e rrjetit të universiteteve para hapjes së këtij kapitulli, ndërsa ende nuk dihet sesi do të trajtohen universitetet në Kosovë”, sqaron diplomati i BE-së.

Edhe hapja e kapitullit 35, sipas tij, është shumë e vështirë, sepse ka të bëj me implementimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe me 11 pikat që ende trajtohen si joformale adresuara nga Gjermania dhe Britania e Madhe. (lajmi.net)