Kapen për komente

LDK'së nuk i pëlqejnë komentet e Këshilltarit të Presidentes, Ramush Tahiri, lidhur me rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve lokale, duke parashikuar mosndryshim të madh. Presidenca thotë se komentet e tij janë personale.

Lajme

12/10/2013 14:06

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj komenteve të Ramush Tahirit, Këshilltar i Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Në një intervistë për të përditshmen “Epoka e Re”, Tahiri ka parashikuar se rezultati i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit nuk do të tregojë lëvizje të mëdha në spektrin politik kosovar.

Ndërsa LDK pretendon se do të arrijë më shumë, prandaj ka shprehur keqardhje për këto komente.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e saj lidhur me deklarimet e këshilltarit politik të Presidentes Jahjaga lidhur me rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve lokale”, ka thënë LDK në reagim.

“LDK thekson se z. Tahiri ka një funksion politik në institucionin më të lartë të vendit dhe duhet të sillet konform kësaj”.

“Gjithçka që thotë një person që ushtron një funksion të tillë, nënkupton qëndrim dhe pozicionim politik të institucionit të Presidentit të Republikës dhe nuk mund të mbulohet me petkun e analistit”.

Kjo parti u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që “të jenë të përgjegjshme” dhe të sillen konform normave kushtetuese dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

“LDK do të vijojë edhe më tutje punën dhe fushatën shembullore që bën, në të cilën LDK po merr mbështetje masive, mbështetje që do të rezultojë me fitoren bindëse të LDK-së në zgjedhjet e 3 nëntorit”.

“LDK do të vijojë të sillet konform normave, do të refelektojë qytetari gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë LDK.

Ndërkohë, Zyra e Presidentes së Kosovës ka lëshuar një sqarim me të cilin shpreh qëndrimin e saj se zgjedhjet komunale dhe ato për kryetarë komunash duhet të mbahen në mënyrë demokratike, të ndershme dhe qytetarët të shprehin vullnetin e tyre lirshëm për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

“Zyra e Presidentes thekson se qëndrimet e shprehura të z. Ramush Tahiri janë qendrime të tij personale dhe pikëpamje të tij dhe nuk përfaqesojnë qëndrimin e Presidentes së Kosovës”.

“Gjithashtu e theksojmë se Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës mbështet procesin e drejtë zgjedhor dhe ju bën thirrje të gjitha partive politike, subjekteve politike, nismave qytetare dhe të gjithë kandidatëve tjerë që garojnë në këto zgjedhje të bëjnë çështë e mundur për të pasur një proces të qetë dhe të mirë zgjedhor”.

“Këto zgjedhje janë një test demokratik për Kosovën dhe ato duhet të jenë një shembull i pjekurisë tonë demokratike”, thotë sqarimi i Zyrës së Presidentes së Kosovës.