Kapen 700 kilogramë marihuanë Lazarati

Bllokimi i substancave narkotike pranë Lazaratit s’ka të ndalur. Kamionçina që po transportonte 700 kilogramë marihuanë është ndaluar sot nga policia.

Lajme

29/11/2013 15:29

Policia e Gjirokastrës, në një operacion të realizuar me emrin “Kamuflimi”, ndaloi një kamionçinë që po bartte rreth 700 kilogramë marihuanë dhe vendosi në pranga drejtuesin e automjetit, Eduard Sakon.

Lënda narkotike ishte e fshehur në tapicerinë e mjetit.

Ndalimi i kamionçinës u bë pasi ishte furnizuar në fshatin Lazarat dhe po tentonte të dilte në rrugën kombëtare, gjatë kohës kur policia kishte kohë që po vrojtonte lëvizje të dyshimta nga drejtuesit e automjeteve.

Besohet se qindra kilogramët e sekuestruar kishin për destinacion final tregun Italian.

Në vijim të sezonit të korrjeve në Lazarat, policia është duke sekuestruar sasi kolosale marihuanë në dy muajt e fundit, por mbetet e panjohur sasia që ende arrinë të eksportohet nga Shqipëria në tregjet evropiane, raporton Top Channel.

Dy ditë më parë, dy student polakë u vunë në pranga nga Policia e Gjirokastrës, pasi kishin blerë disa kilogramë hashash në Lazarat, me qëllim që t’i merrnin me vete për t’i shitur në Poloni.

Javën e shkuar, autoritetet arritën të ndalonin 2,5 tonë marihuanë brenda një dite të vetme.