Kapen 20 kilogramë marihuanë

Oficerët doganorë të Kosovës kanë ndaluar 20 kilogramë substancë narkotike gjatë kontrollit në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë.

Lajme

10/12/2013 10:09

Mëngjesi i hershëm i së martës ka qenë i suksesshëm për Policinë e Kosovës. Ata kanë kapur 18 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Rreth orës 3 të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me oficerët doganorë kanë selektuar një automjet me targa të Shqipërisë për kontroll rutinor në Vërmicë. Pasi ishte ndaluar vetura, Dogana ka njoftuar se pasagjerët kishin deklaruar se nuk kanë ndonjë mall për të paraqitur.

Por vetëm pas një ushtrimi të kontrollit në veturën në fjalë, duke përdorur edhe pajisje të sofistikuara, ata kanë arritur të zbulojnë 7 copë me qese me marihuanë.

6 copë të tjera me qese janë gjetur në ulëset e pasme, po ashtu pjesa tjetër është gjetur në pjesë të ndryshme të veturës.

Drejtuesi i automjetit është arrestuar nga Policia e Kosovës.