Kanosje me armë, në spital

Policia raporton se gjatë 24 orëshit të fundit në Prishtinë ka pasur një kanosje me armë, një kërcënim për pronë dhe është konfiskuar një AK 47.

Lajme

11/12/2013 09:58

Policia e Kosovës raporton se një person ka kërcënuar me armë një person tjetër në hyrje të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

“Një i dyshuar mashkull, shqiptar i Kosovës, pas një mosmarrëveshje verbale ka kanosur me armë një mashkull gjithashtu shqiptar, shtetas i Kosovës”.

“Rasti ka ndodhur në hyrje të spitalit duke rrezikuar edhe qytetarë tjerë të rastit. Nga i dyshuari është konfiskuar arma e llojit Zastava  7.65 mm. Në konsultim me prokurorin të dyshuarit pas inicimit të rastit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia e Kosovës.

Në 24 orëshin e fundit, sipas Policisë, një person nga Prishtina është dërguar në mbajtje pasi te ai është gjetur në posedim një armë AK 47 dhe 27 fishekë gjatë një kontrolli që i ishte bërë shtëpisë së tij.

Në një rast tjetër, gjithashtu në Prishtinë, një mashkull është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi që i njëjti e kishte kërcënuar viktimën duke i kërkuar dy prona.