Kandiq: Përgjegjëse për vrasjet në kafiterinë “Panda” në Pejë, janë organet shtetërore të Serbisë

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare (FHD), Natasha Kandiq thotë se e kujton shumë mirë krimin makabër të ndodhur para 20 vitesh në qytetin e Pejës, i njohur si rasti “Panda”.

Lajme

13/12/2018 22:36

Kandiq në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se kishte biseduar me shqiptarët pas rastit dhe asnjëri nga ta nuk pranonte se ai krim ishte kryer nga ana e tyre.

“Ka pasur mjaft arrestime, dhe tërë kohën thuhej se ky krim ishte kryer nga shqiptarët. Në Serbi ishte prezentuar ky rast si një ndër krimet më të rënda që kanë kryer shqiptarët e UÇK-së”.

Sipas drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare, në fund të hetimeve në atë kohë asgjë nuk u zgjidh dhe qëllimi ishte të përkeqësoheshin raportet mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Para katër viteve edhe kryeministri i atëhershëm kishte thënë se perceptimi për rastin “Panda” [se e kishin kryer masakrën shqiptarët] ishte i gabuar. Sipas informacioneve që kishte tha se rasti nuk kishte të bënte me shqiptarët dhe se kur të delte e vërteta të gjithë do të mbeteshin të shokuar”.

Kandiq thotë se edhe familjarët e viktimave nuk e kanë kuptuar pse ky rast është kaq shumë i ndërlikuar.

“Askush nuk e di se kush dhe në emër të kujt është bërë ky krim. Por, e mira është se shqiptarët më nuk kanë gisht në këtë rast”.

Ajo thotë se përgjegjëse për atë krim janë organet shtetërore të Serbisë.

“Unë mendoj se ekzistojnë informacione për këtë, por ka edhe probleme politike…Kur organet shetërore janë të përfshira në këto raste, vështirë të arrihet deri te e vërteta”, tha ndër të tjera Natasha Kandiq.