Kandidati për president shpalosë programin e tij (Video)

Gjendja politike në vend dhe pakënaqësia e qytetarëve me udhëheqësit aktual të vendit, e shtynë që të kandidojë për president të Kosovës.

Lajme

29/01/2016 20:09

Me një dukje karakteristike me profesion oftamolog dhe me disa libra të botuara Ismet Hebibi konsideron se ai është presidenti i duhur për Kosovën, pasi sipas tij Kosova duhet të ketë dikë që e bënë atë demokratike.

Ismet Hebibi që tashmë është i njohur edhe si ISBIBI sot në lokalin “Jurnal” mbajti një takim me të rinjtë e Prishtinës, për t’u treguar atyre rreth programit të tij si president i vendit si dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre.

“Përveç drejtësisë, diturisë enciklopedike Dr.Ismet Hebibi ka edhe nje atribut, emri “Ismet”, do të thotë i pagabueshëm, i cili nuk i toleron gabimet e dyta”, tha  Hebibi.

Kandidati i vetëshpallur për President, Ismet Hebibi tha se programi i tij është i qartë , ku sipas tij kështu do ta bëjë Kosovën shtet të së drejtës, shtet të ligjit, i gjykatave dhe prokurorive të pa korruptuara.

Pretendenti për president, Hebibi iu tha të rinjve të Prishtinës se qysh në fëmijëri është brengosur se si ta çlirojnë Kosovën nga okupimi, që sipas tij Kosova ka pasur një territor që nga Sllovenia e deri në Azi.

“Çka të bëjmë diçka të mirë për këtë Kosovë që ky popull i vuajtur 2 mijë vite, ky popull i lashtë ilirik që ka pasur një hapësirë prej Lumbardhit në Slloveni e deri në Azinë e vogël e gjitha ka qenë Iliri . Shumë prijës, shumë trima janë mashtruar dhe fatkeqësisht kanë përfunduar sikurse shumë funksionarë dhe njerëz në Kosovën tonë këto 16 vitet e fundit sepse i ka mashtruar lakmia për pushtet ose froma tjera të korrupsionit dhe e kemi humbur tokën e shenjtë”, tha Hebibi.

Ndërsa në lidhje më kundërkandidatin e tij, zëvendës kryeministrin aktual Hashim Thaçin, ai thotë se atë e respekton dhe e njeh vetëm si kryeministër, pasi është i bindur që president do të jetë vetë ai.

“Ai kandidat, qoftë presidentja Atifete Jahjaga, qoftë kryeministri historik i pavarësisë , i madhi Hashim Thaçi se unë e respektoj vetëm se është kryeministër sepse unë do të jem president më i mirë. Qoftë kandidatët e tjerë që e zbukurojnë arenën kosovare dhe zgjedhjet e lira demokratike për president të këtij shteti të bukur dhe të dashur të gjithë neve. Dua që të ketë sa më shumë kandidatë sepse ajo është vlera e demokracisë”, shtoi Hebibi.

Ndërsa në lidhje me nenin e Kushtetutës që përcakton se presidenti i vendit zgjidhet nga deputetët Hebibi shprehet i kënaqur me këtë duke e arsyetuar me mos shpenzim të buxhetit për kampanja dhe foto gjatë fushatave zgjedhore.

“Është aq e lehtë, e mundshme dhe demokratike që deputetët ta zgjedhin presidentin , absolut nuk ka nevojë me mbaj zgjedhje presidenciale pse me hargju për kampanjë, pse me hargju për foto, pse me hek keq kur punë kanë deputetët me zgjedh presidentin pa votën e sovranit”, tha Hebibi.

Ndër preokupimet e tij është edhe pagesa sipas tij e 2 euro e 20 centë që bëjnë qytetarët për modemin e internetit në PTK. Ai konsideron se kjo është një mënyrë që ka zgjedhur PTK për t’i vjedhur qytetarët e Kosovës, pasi modemi paguhet vetëm njëherë dhe për këtë ai tha se e ka paditur PTK-në për zhvatje të qytetarëve. /kp

YouTube player