Kandidati për deputet i LAA-së kërkon rinumërimin e çdo vote të 11 qershorit

Kandidati për deputet në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi, Fida Mustafa, ka bërë thirrje për hetim dhe rinumërim të çdo kutie në zgjedhjet e 11 qershorit.

Lajme

17/06/2017 14:52

Ka thënë se manipulimet janë të shumta, derisa ka numëruar katër prej tyre, të cilat ai beson të kenë ndodhur.

“Edhe unë publikisht i bashkëngjitëm thirrjes së prof. Muhamet Mustafës, për hetim dhe rinumërim të çdo kutie të votimit për zgjedhjet e 11 qershorit. Shkeljet janë të mëdha, faktet janë evidente për prishje të votës qëllimisht si dhe lexim jo i drejtë i fletëvotimit gjatë procesit të numërimit dhe regjistrimit”, ka thënë Mustafa.

“Më poshtë po sjell katër mënyrat e manipulimit të votës që përcollën këtë proces zgjedhor: Duke i prishur fletëvotimet nëpërmjet stilolapsave apo ndrydhjes së fletëvotimit me unazë dore apo mjete të forta; Duke i shtuar fletëvotimit edhe një numër shtesë kështu duke e bërë fletëvotimin të pavlefshëm për kandidatët; Gjatë leximit të fletëvotimit, numrat e votuar (me mbishkrim) nuk lexohen, por lexohen numrat e porositur, pa qenë fare të votuar në fletëvotim; Duke futur rezultatet në regjistrat zyrtar të KQZ-së, mbi vendvotimin, aty ndryshohen të dhënat dhe i barten votat e një kandidatit kundrejt një tjetri, pavarësisht se në kutitë e votimit, fletëvotimet e dëshmojnë të kundërtën”, ka thënë Mustafa.

Nëpërmjet kësaj shkrese, Mustafa ka thënë se kërkon publikisht nga KQZ dhe organet tjera kompetente, si dhe organet e drejtësisë, “që në mënyrë profesionale të hetojnë këtë proces zgjedhor i cili në rend të parë dëmton rëndë vullnetin e qytetarëve të vendit dhe vet kredibilitetin e shtetit të Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu, nëpërmjet kësaj shkrese, i bëjë thirrje çdo kandidati për deputet në këto zgjedhje që konsideron se i është dëmtuar vota ndaj tij në çfarëdo forme, që publikisht të kërkohet nga KQZ rinumërim të çdo kutie të votimit për zgjedhjet e 11 Qershorit”, ka thënë Mustafa.