Kandidatët për kryetar të Pejës: Në Bistricë nuk do të ndërtohet hidrocentral

Kandidatët për kryetar të Pejës sonte janë të ftuar në Magazinën Lokale në Klan Kosova.

Lajme

19/10/2017 23:58

Ndonëse janë kundërkandidat, ata janë të një mendje, kur bëhet fjalë për ndërtimin e mundshëm të një hidocentarli në Lumin Bistrica që ishte diskutuar më herët.

Sabiha Shala nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se të gjitha projektet do t’i auditojnë nëse ata vijnë në pushtet.

“Varësisht nga rezultatet e auditimit do të veprojmë – por gjithmonë do të jemi në mbrojtje të ambientit”.

Edhe Fatmir Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se asnjë dëmtim nuk do të ndodh në lum.

“Asnjë dëmtim nuk do të ndodh, asnjë ndërtim… Jemi për mbrojtje të plotë të lumit dhe natyrës”.

Sali Kelmendi nga Nisma për Kosovë, poashtu ka thënë se aty nuk do të mund të ndërhyn bizneset.

“Në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë këtë”.

Edhe kandidati i Vetëvendosjes është shprehur kundër këtij projekti.

“Nuk vjen në konsiderim që në atë pjesë të ketë hidrocentral”, ka thënë Bashkim Nurboja.

Të njëjtën gjë e mendon edhe Reshat Nurboja i Alternativës.

“Nuk e lejojmë asnjë formë të ndërtohet ai projekt”.

Ndërsa Gazmend Muhaxhiri nga LDK ka thënë se “nuk jemi aq të varfër sa ta shkatërrojmë natyrën”.

“Do ta mbrojmë këtë pjesë të qytetit dhe jo ta shkatërrojmë”.