Kanceri po ua merr jetën kosovarëve, në vitin e kaluar 1,238 raste

1,238 raste me kancer janë shënuar brenda vitit 2016 në Kosovë. Por, ky numër sipas zyrtarëve, nuk shënon rritje reale të të prekurve me kancer por raportim të rasteve.

Lajme

03/02/2017 21:36

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni, ka thënë se në vitin 2015 kanë pranuar 808 pacientë me sëmundje të kancerit.

“Meqenëse, kemi të bëjmë me një sëmundje që përbën kërcënim te bota moderne, është një sëmundje që vdekshmërinë e ka më të lartën për momentin, ku ka kaluar edhe sëmundjet kardiovaskulare. Në vitin 2015 në Onkologji janë paraqitur 808 raste të reja, viti 2016 ka shënuar një rritje relativisht të madhe, ku kemi 1,238 raste. Kjo rritje për 50 për qind nuk është rritje shqetësuese, sepse më tepër ka të bëjë me shtim të raportimit, sesa me rritje reale”, ka thënë Hyseni.

Në Ditën Botërore Kundër Kancerit qytetarët kanë pasur rastin që të marrin broshura, të cilat përmbajnë këshilla për jetë të shëndetshme në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje.