Kanceri i lëkurës: Ja cilat janë shenjat paralajmëruese

Specialistët tregojnë se rastet e personave të prekur nga kanceri i lëkurës po vijnë gjithnjë e në rritje.

Lifestyle

18/04/2017 20:53

Statistikat e sakta në vendin tonë mungojnë, por mjekët vënë alarmin se kanceri i lëkurës po prek edhe të rinjtë.

Askush nuk është i mbrojtur nga melanoma, por mjekët thonë se ajo mund të parandalohet duke filluar me një vetëkontroll.

Djegia nga dielli është një ndër shkaktarët kryesorë të melanomës prandaj specialistët na rekomandojnë kujdes ndaj tij. Aq më tepër personat më të rrezikuar nga ky kancer si ata me ngjyrë të çelur lëkure apo që kanë histori familjare me melanomë.

Gjithashtu mjekët rekomandojnë shmangien e solarëve për nxirje artificiale të lëkurës, pasi ato i konsiderojnë makineritë e kancerit.

Duke bërë një vetë-kontroll të lëkurës, do t’ju ndihmojë juve të identifikoni shenjat e dyshimta ose anormale më shpejt, dhe në një rast të tillë të drejtoheni te mjeku (preferohet ekzaminimi me dermatoskop) dhe trajtoni problemin.

Gjatë vetë-kontrollit kontrolloni këto shenja paralajmëruese:

* Ndonjë ndryshim ose anormalitet në lëkurë që është rritur me kalimin e kohës dhe duket në formë xhevahiri, shumëngjyrëshe, i tejdukshëm, i kuqërremtë, ngjyrë kafe ose i zi.

* Ndonjë mol, njolla sipërfaqësore, njolla që i keni nga lindja, shenja të tjera ose formacione të ndryshme në lëkurë me ngjyrë kafe, të cilat me kalimin e kohës ndryshojnë në strukturë, bëhen më të trasha, më të mëdha, kanë kufij të parregullt, që paraqiten pas moshës 21-vjeçare, ose janë më të mëdha se sa goma fshirëse e lapsit.

* Ndonjë zonë e cila vazhdon të thahet, gjakosë, gërryhet ose dhemb.

* Ndonjë plagë e hapur e cila nuk shërohet pas tre javësh.

Melanoma mund të shfaqet tek të gjithë ne, megjithatë më të rrezikuar janë ata që kanë më shumë se 50 nishane në trup, personat biond ose me flokë të kuq;

ata që gjatë periudhës së fëmijërisë janë djegur disa herë në diell; ata që kanë kryer seanca solari; ata që kanë pasur më parë melanomë, ndonjë kancer tjetër lëkure, kancer gjiri ose të gjëndrave tiroide.