Kanceri i gjirit, 5 hapa për t’u mbrojtur

Studimet e fundit konfirmuan se ecja prej një ore në ditë ndihmon në reduktimin e gjasave për prekje nga kanceri i gjirit te gratë në pas-menopauzë.

Lifestyle

25/10/2014 19:59

Studimi, i realizuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit dhe i publikuar në “Cancer Epidemiology, Biomarkers, and Prevention”, tregoi se sa më aktive janë gratë, aq më pak janë të prira për të zhvilluar kancer të gjirit.

Rezultati pasoi një studim të ngjashëm të publikuar në maj në të njëjtën revistë shkencore, i cili tregoi se aktiviteti fizik edhe te gratë më të reja ndikon në mënyrën se si organizmi i femrës përballet me nivelet e estrogjenit.

Këto dhe studime të tjera kanë treguar se: Ju nuk jeni të pafuqishme në luftën kundër kancerit të gjirit. Po, kanceri i gjirit është një sëmundje shumë e shpeshtë dhe e frikshme. Por ka edhe gjëra të tjera përveç stërvitjeve, të cilat ju mund t’i bëni për të ulur gjasat e prekjes. Ja pesë hapa të cilat janë në duart tuaja.

1. Hiqni kilogramët e tepërta

Ndoshta nuk dëshironi ta dëgjoheni edhe një herë këtë shqetësim të vazhdueshëm tuajin, por studimet tregojnë një lidhje të fuqishme në mes të mbipeshës dhe kancerit të gjirit. Në mesin e shumë studimeve në lidhje me këtë, sipas Surgeon General, mbipesha prej rreth 10 kilogramësh nga mosha 18 deri në moshë të mesme dyfishon rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri më vonë në pas-menopauzë (në të 50-tat).

Një studim tjetër ka treguar se një e katërta e të gjitha rasteve me kancer gjiri mund të parandalohen nëse femrat arrijnë ta ruajnë peshën e shëndetshme. Shpjegimi më i thjeshtë: estrogjeni deponohet në indin dhjamor, dhe sa më shumë dhjam aq më shumë estrogjen. Dhe, nivelet e larta të këtij hormoni rrisin rrezikun për zhvillim të kancerit të gjirit.

2. Largoni gotën e verës

Nëse çdo mbrëmje preferoni të çoni dy ose tre gota verë, bëni kujdes. Studimet kanë treguar se pirja e dy ose më shumë pijeve alkoolike në ditë rrit rrezikun tuaj për kancer të gjirit deri në 20 për qind. Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon që gratë të kufizojnë alkoolin në një pije ose më pak në ditë.

Dhe sasia e alkoolit sa duhet të përmbajë “një gotë” është më shumë më pak se sa ju mbase keni menduar se është; vetëm 150 ml verë dhe 350 mililitër birë.

Shkencëtarët mendojnë se alkooli ndikon në mënyrën se si trupi juaj e metalizon estrogjenin, duke rritur nivelet e tij.

Lidhja në mes të alkoolit dhe kancerit të gjirit po ashtu është më e shprehur te femrat të cilat kanë filluar konsumimin e pijes më herët.

3. Mësoni dendësinë e indit të gjinjve tuaj

Mbase keni dëgjuar se duke pasur ind të dendur të gjirit rrit gjasat për kancer gjiri. Por a e dini sa është dendësia e gjirit tuaj? Gjinjtë dallojnë shumë sa i takon dendësisë, që përcaktohet nëse ato kanë më shumë ind fibroz dhe gjëndra ose më shumë dhjam.

Nëse nuk e dini se në cilin grup të dendësisë së gjirit bëni, bisedoni me mjekun tuaj dhe gjejeni. Kjo është e rëndësishme pasi nëse bëni pjesë në grupin e grave të cilat në kanë ind të dendur të gjirit (66 për qind e grave në paramenopauzë dhe 25 për qind pas menopauzës), ju duhet të bëni mamogram më shumë se sa një herë në vit.

Një studim i realizuar kohë më parë ka gjetur se mamogramet huqin 60 për qind të tumoreve të gjetura përmes ultrazërit te femrat me ind të dendur të gjirit. Dhe, falë këtij studimi janë lansuar edhe një varg fushatash vetëdijesimi për gratë për të kuptuar rëndësinë e dendësisë së gjinjve. Nëse keni gjinj të dendur, bisedoni me mjekun se çfarë lloj monitorimi është më i mirë për ju.

4. Konsumoni antioksidues

Ushqimet e caktuara të pasura me bioflavonoide është vërtetuar se kanë efekt mbrojtës si nga kanceri i gjirit, ashtu edhe nga llojet tjera të kancerit. Rregulli më i lehtë është “hajeni ylberin” – fruta dhe perime shumëngjyrëshe, fasule dhe bishtajore. Ato janë veçanërisht të pasura me antioksidues, të cilat edhe ua japin ngjyrat e ndryshme. Çaji i gjelbër, për shembull përmban polifenolet EGCG dhe EGC të cilat pastrojnë dhe ju çlirojnë nga radikalet e lira, të cilat mendohet se ndihmojnë ndryshimet e hershme qelizore që çojnë në kancer. 
Lista e ushqimeve të mundshme anti-kanceroze është edhe më e gjatë: frutat kokrrizore (manaferrat, luleshtrydhet, boronicat), pastaj domatet, hudhra, patatet e ëmbla, rrushi dhe mëlmesa (si për shembull shafrani indian), të gjitha përmenden si të dobishme. Studimet amerikane po ashtu kanë gjetur se spinaqi mbron nga lloje të caktuara të kancerit, derisa studime të tjera kanë treguar se brokoli dhe perimet tjera degëzuese po ashtu rezultojnë me gjasa më të ulëta të prekjes nga kanceri i gjirit, prostatës dhe zorrës së trashë.

Studiuesit ende janë duke analizuar veprimin e lëndëve specifike natyrale, të cilat mund të jenë përgjegjëse për efektet mbrojtëse. Për shembull, një substancë që gjendet në përbërjen e brokolit, e quajtur indol-3-carbinol, luan rol në nivelet e estrogjenit, hormonit që ndikon në zhvillimin e kancerit të gjirit.

5. Hiqni dorë nga duhani

Çdokush e di se pirja e duhanit nxit kancerin e mushkërive, por shumica nuk e kuptojnë se duhani mund të ndihmojë edhe në zhvillimin e kancerit të gjirit.

Studimet e reja të publikuara në Journal of the National Cancer Institute kanë dhënë një mesazh edhe më të qartë në këtë aspekt. Kërkuesit kanë analizuar rastet e kancerit të gjirit gjatë një periudhe 13 vjeçare dhe kanë gjetur se shkalla e diagnozave të reja të kancerit të gjirit ishte 24 për qind më e lartë te gratë duhanpirëse se sa te ato jo duhanpirëse. Po ashtu, gratë të cilat kanë pirë më herët duhanin, por tash nuk e pinë, kanë 13 për qind gjasa më të larta të prekjes nga kanceri i gjirit, krahasuar me ato që kurrë nuk kanë tymosur.

Studimi po ashtu ka treguar se shkalla e prekjes nga kanceri i gjirit është më e lartë te gratë të cilat kanë filluar pirjen e duhanit në moshë të re. /mjeku.net