Kanada pranon kontingjentin e parë të refugjatëve nga Siria të enjten

Kanada është duke bërë përgatitjet e fundit që të menaxhojë rreth 25,000 refugjatë sirian që është zotuar t’i pranojë deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Fluturimi i parë me refugjatë drejt Kanadasë me 350 refugjatë do të realizohet të enjten.

Bota

10/12/2015 11:14

Me aq shumë refugjatë që po vijnë drejt Kanadasë dhe me aq pak kohë, Ottawa ka thënë se do të ndihmojë në transportimin ajror të refugjatëve.

“Euronews” raporton se Ministri i Emigracionit në Kanada, John McCuallum, është duke kaluar një kohë të vështirë për të bindur publikun se siguria e vendit mbetet e pacenuar.

Megjithatë, vendimi i Qeverisë së re të Kanadasë për të mos pranuar të pashoqëruarit, heteroseksualët, meshkujt e rritur dhe të vetmuar për shkak të brengave të sigurisë, është kritikuar shumë.

Kanada do të pranojë refugjatë edhe nga Libia dhe Lebanoni ku rreth 500 zyrtarë të ambasadave kanë proceduar emigrantë potencial, shumë prej të cilëve kanë jetuar nëpër kampe për vite me radhë.

Një nga refugjatët sirian që kishte ikur nga zonat e luftës në Aleppo tha: “E dini si është në vendin tonë, në Siri unë nuk kam shtëpi, kam humbur gjithçka atje. Jam në kërkim të një jete të re për fëmijët e mi dhe veten.” , transmeton KosovaPress.

Sulmet terroriste të muajit të kaluar në Paris kanë rritur alarmin e sigurisë në të gjitha vendet dhe shumë prej tyre kanë reduktuar numrin e refugjatëve që pranojnë, por kryeministri i ri liberal i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se “pranimi i refugjatëve dëshmon përkushtimin tonë ndaj kanadezëve dhe botës se Kanada e kupton se mundet dhe duhet të bëj më shumë.”